E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehn:Kosova duhet ndihmuar në proceset evropiane

Komisioneri europian për zgjerim Oli Rehn këmëngul se Kosova duhet ndihmuar në proceset europiane pavarësisht se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë njohur atë si shtet. Rehn është shprehur se duhet të gjenden rrugët se si të ndihmohet Kosova, dhe se këto mënyra do përfshihen në studimin e fizibilitetit që do publikohet në vjeshtë të këtij viti. Në këtë dokument, sipas komisionerit për zgjerim, do përfshihen edhe mundësitë që Kosova të ketë raporte kontraktuale në kushte të ndërlikuara siç janë tani. "Të gjithë kemi detyrime ndaj Kosovës, si ato vende që e kanë njohur ashtu edhe ato që nuk e kanë njohur pavarësinë", deklaroi Rehn në Parlamentin Europian. Ai shtoi se Kosova duhet të përfshihet në projekte siç janë lëvizja e njerëzve; shkëmbimi tregtar, lehtësimi i vizave e ndoshta në një të ardhme të largët, edhe liberalizimi i vizave. Rehn pranon se serbet kanë të drejta në Kosovë që shkojnë përtej standardeve europiane. Por kjo është e mirë, sipas tij, sepse serbët duhet të jenë të mbrojtur në Kosovë. Rehn i rikujtoi eurodeputetët, se pas problemeve me Serbinë dhe diskutimeve me Beogradin është arritur marrëveshja që të dislokohet EULEX-i dhe tashmë EULEX-i funksionon edhe në veri të vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›