Studiuesi gjerman një vepër për kishën shqiptare
Rreth 80 vite jetë të Kishës Katolike shqiptare vijnë përmes librit të autorit gjerman, Dr. Markus ë. E. Peters, “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”. Libri prej 375 faqesh, përkthyer nga gjermanishtja, nga Klaudia Darragjati, botuar nga Qendra Botuese -Shoqata e Jezuitëve, u prezantua dy ditë më parë gjatë konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë me rastin e 150- vjetorit të themelimit të Seminarit Nërdioqezan shqiptar në Shkodër. Në promovim mori pjesë edhe Kardinali i Vatikanit Em. e Tij Zenon Card. Grocholeëski. Libri i Peters zë fill me Konferencën e Paqes në Paris në 1919-ën, kur ende diskutoheshin kufijtë e Shqipërisë. Serbia, Greqia e Italia kishin shfaqur interesant e tyre karshi territoreve shqiptare. Sipas Peters, “në këtë situatë të pa qartë dhe delikate, Kisha Katolike ishte i vetmi institucion, i cili ishte i aftë të përfaqësonte interesat shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris”. Me tërheqjen e Austro-Hungarisë nga Protektorati Kulturor mbi katolicizmin, Vatikanit i kërkohej të merrte pjesë në ngjarjet shqiptare. Për këtë arsye Papa Benedikti XV më 12 nëntor 1920 emëron Ernesto Cozzi-n, Delegat Apostolik për Shqipërinë, çfarë njëkohësisht do të thotë, njohjen diplomatike të vendit de facto. Vitet ‘20-‘30, përbënin “epokën e zhgënjimit”, nga pikëpamja e Kishës: Qëndresa fetare dhe kulturore qindravjeçare e Veriut të Shqipërisë përballet me një injorim dhe jo me një mirënjohje. Ndërsa për sa i përket dështimeve të herë pas hershme të negociatave për konkordatin mes Kishës Katolike dhe Shtetit Shqiptar, në kohën e Ahmet Zogut, shkaku ishte, politika jo e stabilizuar dhe indiferente e Tiranës. Vitet 1940 dhe 1950 shënojnë epokën e pozicionimit të Kishës mes pushtimit fashist, protektoratit gjerman dhe terrorit komunist. Në këtë situatë, sistemi fashist i Italisë si dhe hyrja e trupave gjermane në vitin 1943 ishin e keqja më e vogël në këndvështrimin e Kishës. Në libër flitet gjerësisht për kalvarin e gjatë të Kishës Katolike nën diktaturën komuniste 1945-1990. Në fund libri mbyllet me vizitën baritore të Papa Gjon Pali II, më 23 prill 1993, në Shqipëri, një ngjarje historike për popullin tonë.