Reklamat, Prifti: Duhet shmangur monopoli
Shmangia e pozitave monopol dhe krijimi i lehtësive për të hyrë në treg, janë cilësuar si aspekte shumë të rëndësishme nga Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, dje gjatë një takimi me Këshillin Konsultativ të Biznesit. Në qendër të debatit ishin ndryshimet që i janë bërë ligjit "Për sistemin e taksave vendore, i cili lidhet me tarifat që paguhen për tabelat e reklamave. Kryesisht për tabelat që janë mbi 12 metër katrorë, për të cilat aktualisht çmimi nuk paguhet për çdo metër katror nëse tabela i kalon 12 metër katror. Kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, inkurajoi dje biznesin për të dhënë propozimet lidhur me këtë projektligj, në mënyrë që ato t'i përçohen Ministrisë së Financave. Nga ana tjetër, ai theksoi se e rëndësishme është që të shmanget krijimi i pozitave monopol. "Në gjithë vendin, nuk di të jenë një apo dy kompani që kanë pozita monopol. Rasti i Bashkisë së Tiranës deri diku ekziston, sepse janë një apo dy kompani që favorizohen padrejtësisht nga Kryetari i Bashkisë. Rëndësi ka që të bëjmë ligjin, që të mos ndikojë në krijimin e pozitave monopol, që të jetë sa më i ndershëm për të gjithë konkurrentët, që mënyra e hyrjes në treg të jetë sa më e thjeshtë nga të gjithë dhe të jenë të gjithë në një start të barabartë dhe në pozita të barabarta", tha Prifti. Ai garantoi se të gjitha propozimet e Këshillit Konsultativ të Biznesit do t'ia kalojë ministrisë përkatëse, para se çështja e taksave vendore të diskutohet në Qeveri. Disa nga propozimet e bëra ishin ato që kishin të bënin me tabelat mbi objektin ku zhvillohet biznesi dhe ku sugjerohet zbatimi i taksave të vitit 2008. Një sugjerim ishte ai që në ligj të përcaktohen qartë përmasat e tabelave të identifikimit. Përsa i përket çmimit të tabelave mbi 12 metër katrorë, u propozua që të ketë rritje të çmimit për këtë kategori, por me koeficient zbritës.