E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët e PD akuzojnë Çomon për shërbime politike



Erald Kapri

Kandidati i radhës për në Gjykatën e Lartë, Sokol çomo, zhvilloi dje seancën dëgjimore para Komisionit të Ligjeve, ndërsa disa deputetë të maxhorancës e cilësuan atë si një kandidaturë që ka shërbyer politikisht. Disa deputetë të maxhorancës si, Fatos Hoxha, Enkelejd Alibeaj, Edi Paloka, etj, pyetën direkt kandidatin çomo, duke kërkuar shpjegime prej tij në lidhje me shërbimin e tij si zëvendësministër Drejtësie në vitet 1998-2000. Deputetët Hoxha e Paloka kërkuan të dinë nga kandidati çomo, nëse ka pasur mbështetje politike në një kohë kur ai në vitin 2000, brenda pak ditësh, është emëruar si anëtar KLD-je e më pas si kreu i Gjykatës së Tiranës. “Vetëm pas disa ditësh, jo javësh apo muajsh, në një procedurë të parregullt, e cilësuar nga opozita e atëhershme për kandidaturën tuaj në KLD, jeni emëruar si anëtar i KLD-së, vetëm me votat e maxhorancës”, kujtoi deputeti i PD-së Hoxha, për votimin e vitit 2000. Por përgjigjia e kandidatit çomo ishte se ai nuk kishte shërbyer politikisht. Sipas tij, ligji i njeh punën e tij dy vjeçare si zëvendësministër Drejtësie, si karrierë në gjyqësor. “Nuk kam kryer shërbime politike, por vetëm shërbime shtetërore dhe kam shërbyer në mirë funksionimin e pushtetit gjyqësor”, tha çomo. Por deputetë të tjerë kërkuan nëse çomo ka qenë pjesë e ndonjë lotimi politik për emërimin e tij, gjë për të cilën ai e rrëzoi menjëherë poshtë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve kërkoi të dijë nga kandidati çomo, nëse ai ka pasur mbështetje nga figura politike apo publike. “Ka ndonjë gjë që mund të na e rrëfeni? Për shembull, nëse ka pasur informalisht ndonjë person publik që ju ka sugjeruar pse nuk kandidon? Më tej, ka pasur informalisht ndonjë konsultë, qoftë dhe në grupin përzgjedhës të Presidentit, lidhur me kandidaturën tuaj?”, pyeti Rusmali. Nga ana e tij, çomo tha se nuk ka takuar asnjë person me influencë politike. “Unë nuk kam takuar deputet, sepse as nuk kam kërkuar t’i takoj dhe as më kanë kërkuar që të më takojnë. Asnjë ditë të vetme nuk kam kryer shërbime politike, kam kryer shërbime shtetërore”, shtoi ai. Më tej çomo u pyet edhe për problemet në sistemin e Drejtësisë, si dhe për praktikën unifikuese të Gjykatës së Lartë. Më tej, ai nuk preferoi që t’i përgjigjet pyetjes së deputetes, Mesila Doda, nëse gjyqtarët e sistemit të kaluar duhet të jetë pjesë e sistemit të sotëm.

Pyetjet në Komision

Fatos Hoxha, PD: Do të doja një përgjigje shumë të shkurtër. Pasi i keni shërbyer politikisht një force politike, si zëvendësministër nga ‘98 deri në vitin 2000, në afatet limite që nuk lejonin më të shërbeje në gjyqësor, ju e keni lënë këtë detyrë politike dhe jeni emëruar nënkryetar i Gjykatës së Tiranës. Vetëm pas disa ditësh, jo javësh apo muajsh, në një procedurë të parregullt, e cilësuar nga opozita e atëhershme për kandidaturën tuaj në KLD, jeni emëruar si anëtar i KLD-së vetëm me votat e maxhorancës. Pasi keni marrë këtë emërim, jeni emëruar më pas Kryetar i Gjykatës së Tiranës. Dua të jem i pastër me ndërgjegjen time dhe me votën që do të jap në Kuvend. Dua të di a nuk është kjo një votë mbështetëse politike për karrierën tuaj?
Sokol çomo: Po e ritheksoj për të disatën herë se asnjë ditë të vetme nuk kam kryer shërbime politike, por vetëm shërbime shtetërore dhe kam shërbyer në mirë funksionimin e Pushtetit Gjyqësor. Nëse ju më kujtoni mbështetjen e maxhorancës, edhe ju do të gjeni që keni emëruar anëtarë të KLD-së nga Kuvendi vetëm me votën e maxhorancës dy herë, një për Gjykatën e Lartë dhe një për në KLD.
Ilir Rusmali: Ka ndonjë gjë që mund të na e rrëfeni? Për shembull, nëse ka pasur informalisht ndonjë person publik që ju ka sugjeruar, pse nuk kandidon? Më tej, ka pasur informalisht ndonjë konsultë, qoftë dhe në grupin përzgjedhës të Presidentit, lidhur me kandidaturën tuaj? Ndonjë bisedë me ndonjë njeri publik afër tyre që të ka sugjeruar, ju ka dhënë mbështetjen apo ju kanë refuzuar mbështetjen.
Sokol çomo: Unë nuk kam takuar deputet, sepse as nuk kam kërkuar t’i takoj dhe as më kanë kërkuar që të më takojnë. As një ditë të vetme nuk kam kryer shërbime politike, kam kryer shërbime shtetërore. Kam qenë pjesë e administratës shtetërore dhe kam shërbyer në mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor.
Mesila Doda: Dua të di mendimin tuaj për gjyqtarët që kanë shërbyer në kohën e diktaturës. Pra një mendimin tuaj, parimisht, nëse ata duhet të jenë pjesë e sistemit të sotëm gjyqësor?
Sokol çomo: Kjo pyetje nuk i përket seancës sime. Nuk dua të përgjigjem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›