Këshilltari i Nanos, Ambasador në Sllovaki
Këshilltari i ish-kryeministrit, Fatos Nano, Agim Isaku është emëruar nga Qeveria si Ambasador i Jashtëzakonshëm i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Sllovakisë. Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të internetit të Parlamentit, në të cilën thuhet se sot në orën 12:00 do të zhvillohet një seancë dëgjimore e kandidatit për Ambasador në Komisionin e Jashtëm. Pas kësaj seance, emri i Isakut do të çohet në tryezën e Presidentit Bamir Topi për t'u dekretuar. Ndërkohë, Qeveria ka propozuar emrin e Arben Cicit, si Ambasador i Jashtëzakonshëm i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Danimarkës. Cici ka qenë më parë shefi i Protokollit, ndërkohë që nga viti 2007 ai ka punuar si këshilltar diplomatik i Presidentit Bamir Topi. Së bashku me Agim Isakun, Arben Cici do të presë më pas firmën e kreut të shtetit për të marrë detyrën e re.