E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pensionet u rritën nga të ardhurat, nuk prekëm depozitat



Kryeministri Sali Berisha reagoi dje ndaj akuzave të PS-së se rritja e pensioneve u bë e mundur, pasi Qeveria preku depozitat e qytetarëve shqiptarë. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kreu i ekzekutivit tha se kjo rritje erdhi vetëm falë rritjes së të ardhurave. "Kam ndjekur dhe ndjek me vëmendje reagimet që u bënë ndaj këtij vendimi. Të reagosh në këtë mënyrë do të thotë të shohësh botën nga kullat e Fidelit. Se si mund të ngrihet opozita e të quajë krim politikën e rritjes së pensioneve, kjo është një shpirtkazmëri e pashembullt. Në vend që t'i kërkosh Qeverisë të bëjë çdo përpjekje për të rritur, të shpallës se kjo rritje përbën një krim ekonomik, në të vërtetë nuk e di se si mund t'u dalësh përpara atyre qindra e mijëra burrave dhe grave të thinjur, të lodhur, të cilët marrin një pension shumë më të vogël nga meritojnë", tha kreu i ekzekutivit. Sipas tij "në paraqitjet e tyre publike kanë bërë gafa të pafalshme. Për të sulmuar rritjen e pensioneve u thanë shqiptarëve se kjo Qeveri po merr për rritjen e tyre 70 për qind të kursimeve tuaja. Kjo ishte deklarata zyrtare. Unë dua t'ju informoj ju, zonja dhe zotërinj deputetë, dhe mbarë shqiptarët, se në mënyrë absolute kjo Qeveri, që kur ka ardhur në pushtet nuk ka prekur qoftë edhe një qindarkë të vetme për rrogat dhe pensionet nga kursimet e tyre, çka e kanë bërë paraardhësit tanë çdo vit. E quajta gafë, sepse po të jetë shpirtligësi nuk njeh asnjë kufi". Berisha theksoi se të ardhurat totale të 6-mujorit të vitit 2010 janë 151.7 miliardë lekë, çka do të thotë se është afër fondit të pagave që i duhet Qeverisë për gjashtë muaj pune të punonjësve të administratës. Një vit nga formimi i koalicionit qeveritar, Berisha vlerësoi qëndrimin e LSI-së që iu bashkua PD-së në formimin e Qeverisë. "Në përvjetorin e koalicionit të suksesshëm të integrimit të vendit, unë gjej rastin të përshëndes në emër të maxhorancës të gjithë ata drejtues, veprimtarë, të forcave politike të këtij koalicioni, për vendimin e shkëlqyer që morën një vit më parë, për t'i dhënë vendit qeverisjen me spektrin më të gjerë të mundshëm, për të mobilizuar në qeverisje forcat më eficente", tha Kryeministri.

PS: Rritja e pensioneve, qesharake
Partia Socialiste reagoi dje pas deklaratave të Kryeministrit Berisha për rritjen e pensioneve. Sipas deputetit Ilir Beqja, kjo është një rritje qesharake dhe më e ulëta e viteve të fundit. "Dua të denoncoj sjelljet dhe veprimet e pamoralshme të Sali Berishës. Veprimet e pamoralshme me gjasme rritjen qesharake të pensioneve. Nuk ka rritje të pensioneve për pensionistët shqiptarë. Me paratë që ju jepte apo që ju dha me shtesat, Sali Berisha ata blejnë më pak se një vit më parë. është shtrenjtuar 13% vetëm administrativisht energjia elektrike. është shtrenjtuar 26% vetëm administrativisht uji i pijshëm. Janë shtrenjtuar 10-30% perimet", tha Beqja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›