Projektligji, pension suplementar dhe shpërblim familjarëve të të rënëve në krye të detyrë
Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton projektligjin për familjet e të rënëve në detyrë
Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dje projektligjin për ndihmë ekonomike të familjeve të personave të rënë në detyrë.
Projektligji “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, u miratua në mënyrë unanime edhe nga përfaqësuesit e opozitës në Komision.
Projektligji përcakton në mënyrë të saktë ndihmën dhe trajtimin e familjeve të personave që janë pjesë e strukturave të mësipërme, të cilët humbin jetën në krye ose për shkak të detyrës.
Projektligji jep një përcaktim të qartë të pensionit, pensionit suplementar dhe shpërblimit të menjëhershëm të familjarëve të punonjësve që humbin jetën në detyrë.
Ai parashikon ndërprerjen e skemës aktuale të sigurimeve shoqërore për pensionet dhe hyrjen në fuqi të skemës së re, e cila do të përfshijë edhe familjarët e personave që kanë humbur jetën përpara hyrjes në fuqi të këtij projektligji.
Përveç pensionit familjar, të afërmit e personave të rënë në krye të detyrës do të përfitojnë edhe kredi në bursa të plota arsimore, trajtim preferencial për kredi strehimi nga Enti i Kombëtar i Banesave sipas kritereve dhe procedurave të parashikuara.
Në rastet e plagosjes në krye apo për shkak të detyrës, projektligji parashikon trajtim ekonomik dhe financiar, kompensim për dëmtimet trupore dhe shpenzimet për rehabilitim shëndetësor.