E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekord në shpenzim të energjisë

Kosovarët, pos që s`paguajnë energjinë elektrike, janë edhe shpenzuesit më të mëdhenj të saj. Ata shpenzojnë tri herë më shumë energji për kokë banori se çdo qytetar tjetër i vendeve evropiane. E për t’i siguruar furnizim kosovarëve, Korporata Energjetike e Kosovës, krahas energjisë, prodhon miliona ton gazra në vit, të dëmshme për ambientin. Të gjitha shtetet e BE`së janë zotuar që deri më 2010 do ta reduktojnë për 20 për qind emetimin e dyoksidit të karbonit dhe ta rrisin për 20 për qind efiçiencën e energjisë, dhe po aq energjinë e prodhuar nga burimet e ripërtërishme.

Për t`i hequr qafe gazrat e dëmshme, edhe në Kosovë mund të aplikoheshin burime alternative të energjisë. Një kolektor diellor i vendosur në kulmin e shtëpisë, që do t’i absorbonte rrezet e diellit, me rezervuar dhe pompën për përcjelljen e ujit të nxehtë nëpër radiatorë do të mund të kursejë 50 për qind të mjeteve nga fatura e secilit qytetar, që për ta nxehur shtëpinë më herët pa përdorur rrymën.

Një ide si kjo e ka edhe Agim Berisha nga Prishtina. Ai ka jetuar disa vite në perëndim dhe thotë se shumica e shtëpive në lagjen ku ka jetuar kanë qenë të pajisura me kolektorë diellorë. Mirëpo, në pamundësi që ta siguroi një të tillë për shtëpinë e tij në Prishtinë, ai ka ndërruar të gjitha dyert dhe dritaret e shtëpisë.

“Ato të vjetrat i kam hedhur. Jam siguruar që të rejat të jenë kualitative dhe që nuk lejojnë të ftohtit të futet brenda. Gjatë dimrit e kam vërejtur që faturat e rrymës gati më janë përgjysmuar”, thotë Berisha. Veç dyerve dhe dritareve, ai ka investuar në pajisje të reja që për të funksionuar u duhet rrymë. Thotë se makinën për larjen e rrobave e ka blerë të re dhe pajisje tjera siç është frigoriferi, bojleri dhe televizori.

“Me këto investime kam vërejtur që kursimet e energjisë si rezultat e pajisjeve të reja, mund të m’i mbulojnë shpenzimet”, vazhdon ai.

Këto masa të kursimit të energjisë, sipas Theotokis Pafelias, ekspert në fushën e energjisë, janë gati të domosdoshme në kohën kur e gjithë bota po shkon drejt kursimit të energjisë elektrike.

Ai ka shërbyer si ekspert në shumë projekte lidhur me efiçiencën e energjisë dhe nga përvoja thotë se në Kosovë përdoret tri herë më shumë energji për kokë banori se në vendet tjera të Evropës.

“Nëse e përdorim vetëm elektricitetin për ngrohjen e shtëpisë, atëherë jemi në situatë të keqe”, thotë Pafelias.

Sipas tij, zbatimi i masave për kursim të energjisë duhet të bëhet nëpër ndërtesa, shkolla dhe shtëpi. Direktivat e BE-së kërkojnë që secila ndërtesë të posedojë certifikatën se sa energji harxhon.

Pafelias thotë se nëse bëhet izolimi i mirë i një ndërtese apo shtëpie, do të mund të kursehej deri në 10 për qind e energjisë së harxhuar.

“Kosova ka shumë diell. Kështu që mund të shfrytëzohet sistemi diellor për ta nxehur ujin dhe me pas ngrohjen e shtëpisë”, pohon ai.

Të gjitha shtetet e BE-së janë zotuar që deri më 2010 do ta reduktojnë 20 për qind emetimin e dyoksidit të karbonit dhe ta rrisin për 20 për qind efiçiencën e energjisë dhe po aq energjinë e prodhuar nga burimet e ripërtërishme.

Ngrohja e ujit me energji diellore është mënyra më e mirë për të zvogëluar shpenzimet e energjisë, pasi që kolektorët diellorë e ngrohin ujin sanitar me kosto të ulët. Një kolektor diellor prej 2 metra në katror mund të japë deri në 1100-1200 kWh energji në vit dhe të kursejë deri në 110-120 euro në vit.

“Blijeni një sistem që nuk është më i madh sesa që ju nevojitet. Një kolektor 2 metra në katror dhe një rezervuar prej 120 litrash është i mjaftueshëm për një familje prej 2-4 anëtarësh”, thuhet në rekomandimet e inxhiniereve për energji.

Sipas Pafelias, përafërsisht 10-20 për qind e humbjeve totale të nxehtësisë në shtëpi gjatë dimrit dhe 25-35 për qind të sasisë totale të freskimit gjatë verës, janë për shkak të dyerve dhe dritareve jocilësore.

Ai thotë se kur të blihen dritare rekomandohet që xhami të jetë i dyfishtë, pasi kanë izolim dy herë më të mirë sesa dritaret me xham të njëfishtë, duke krijuar një vakum në mes të dy xhamave.

Të njëjtën rëndësi sikur dyert dhe dritaret e ka edhe izolimi i mureve dhe kulmi i shtëpisë. Gjatë dimrit, të shtëpitë pa termoizolim, rreth 50 për qind e nxehtësisë humbet përmes mureve dhe kulmit. Një banesë në katin e fundit do t’i zvogëlonte shpenzimet e ngrohjes dhe freskimit për rreth 10-15 për qind, vetëm e vetëm duke e izoluar kulmin, ashtu që shpenzimet e izolimit do të shpaguheshin për me pak se 3-4 vite.

“Dimrit termoizolimi paraqet një masë shumë të rëndësishme për ruajtjen e nxehtësisë. Gjatë verës termoizolimi ruan freskinë e shtëpisë”, thotë Pafelias.
Me zbatimin e të gjitha këtyre masave, Pafelias pohon se shteti i Kosovës do të importonte me pak energji dhe karburante.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›