E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekrutimi me forcë, protesta në Bunavi

Portat e Brigadës së Stërvitjes Bazë në Bunavi të Vlorës vazhdojnë të jenë të mbledhin familjarë të rekruteve që stërviten aty. Dje në mesditë në portën e brigadës ka shkuar kreu i Lëvizjes G99 Erion Veliaj së bashku me aktivistë të kësaj lëvizjeje. Pasi ka komunikuar me të afërmit dhe prindërit e rekrutëve dhe ka dëgjuar prej tyre shqetësimet për marrjen e fëmijëve me dhunë dhe nga shkollat dhe vendet e punës ai ka komunikuar me komandantin e brigadës, i cili ka lejuar që familjarët të takojnë djemtë që janë marrë me forcë për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Familjarët

Familjarët që ishin mbledhur në portën e brigadës së Bunavisë deklaronin të gjithë se djemtë u ishin marrë me dhunë nga policia ushtarake dhe policia e rendit.

Ardit Gjonce nga Berati, është njëri nga djemtë që është marrë me dhunë në rrugë dhe është çuar në Bunavi. Prindërit e tij tregojnë se djali ishte zhdukur që nga ora 17:00 të datës 19 janar. Ata kishin kërkuar nëpër të afërm kishin bërë dhjetëra telefonata, por nuk po e gjenin. Vetëm në orën 22:00 djali u telefonoi dhe u tha se ishte në Bunavi. Brenda pesë orësh, policia e kishte dërguar në brigadën e stërvitjes ku djali ishte qethur zero dhe ishte veshur me uniformën e ushtarit.

Babai i Arditit, Nasipi, thotë se djali është në vitin e pestë të shkollës industriale në Berat. "Më kërkuan dokumentet e shkollës së djalit dhe i kam sjellë, por akoma nuk di s‘e ç‘po bëhet me të. Edhe Turqia kur merrte nizamë lajmëronte", thotë Nasip Gjonçe.

Shumë familjarë të tjerë që vinin që nga rrethet e ndryshme janë të shqetësuar për djemtë. Shote Rexha, nëna e njërit prej rekrutëve, tregon gjithashtu se djali i saj është student në Universitetin Bujqësor të Kamzës. "U deshën dy ditë që të merrja vesh ku e kisha djalin dhe tani kam sjellë të gjitha dokumentet, por ende nuk më japin një përgjigje se çfarë do të bëhet", thotë gruaja.

Të rinjtë

Ndërkohë, në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë, të rinjtë kanë filluar të ruhen nga patrullat e policisë që mund t‘i rrëmbejnë në çdo çast e t‘u qethin kokën. Ardi Koleci, 21 vjeç nga Vlora, është një prej atyre të rinjve që fshihet nga policia si të ishte kriminel. "Disa herë kam arritur të largohem me vrap dhe nuk më kanë marrë për ushtar", tregon Ardi. Ai tregon se jeton vetëm me nënën dhe se duhet të punojë për të mbajtur gjallë atë dhe veten. "Unë e di që shërbimi ushtarak është detyrim, por nënën e kam të moshuar e të sëmurë dhe nuk mund ta lë vetëm. Pensioni i nuk i mjafton nënës as për ilaçet ndaj duhet të punoj unë. E kam rregulluar te puna që të shkoj vetëm mbrëmjeve, pasi ndihem më i sigurt", thotë 21-vjeçari. Prej një muaji ai shmang në maksimum lëvizjet gjatë paradites.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›