Rama në pediatri: Rrjeti rinor i bashkisë çdo fundjavë në spital
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i shoqëruar nga të rinjtë e rrjetit rinor ishte dje pranë fëmijëve të spitalit pediatrik të Tiranës. Rama u ndal për disa çaste me fëmijët të cilët vuajnë nga sëmundje tumorale dhe ato të gjakut. Ai u takua edhe me prindërit e këtyre fëmijëve, të cilët mundohen t‘u japin atyre përkujdesjen dhe mbështetjen e duhur mes vështirësive të mëdha. Me qëllimin human që këta fëmijë të ndiejnë sa më pranë ndihmë dhe mbështetje Bashkia e Tiranës ka angazhuar, vullnetaret dhe vullnetarët e rrjetit rinor kryeqytetas, që çdo fundjavë të jenë pranë fëmijëve të këtij spitali, për t‘u dhënë atyre gëzim, por kryesisht shpresë dhe kurajë në përballimin e sëmundjeve të rënda. Të rinjtë e rrjetit rinor të Tiranës, do të mundohen të gjenden pranë këtyre fëmijëve që kanë më shumë se kurrë nevojë për ndihmën e shoqërisë, duke i zbavitur përmes leximit, animacioneve të ndryshme apo mënyrave të tjera argëtuese, për t‘i lehtësuar e për t‘u rikthyer sadopak buzëqeshjen. Kryebashkiaku Rama, duke parë nga afër gjendjen e tyre shëndetësore, u shpreh: Ashtu siç është praktikë në spitalet dinjitoze të botës, edhe në këtë spital të Tiranës ku kushtet janë tmerrësisht të vështira dhe ku fëmijë e prindër përpiqen çdo ditë për të kapërcyer vështirësi të jashtëzakonshme, ne dëshirojmë që t‘ua lehtësojmë sado pak këtë përpjekje duke angazhuar rrjetin rinor. Sipas kreut të Bashkisë së Tiranës, falë vullnetarizmit të këtyre vajzave dhe djemve, që çdo fund javë do të jenë të pranishëm, (sikundër ka ndodhur edhe fundjavat e shkuara) pranë këtyre fëmijëve dhe prindërve, besoj se do i japin dinjitetin e domosdoshëm, marrëdhënies sonë si shoqëri dhe si individë të shëndetshëm për ata që janë më në nevojë, në radhë të parë me fëmijët që sot kanë nevojë më shumë se asnjëherë tjetër jo vetëm për prindërit, por për të gjithë ne, për të kapërcyer këtë përpjekje dhe vështirësi të jashtëzakonshme. "Çdo fundjavë, rrjeti rinor i Bashkisë së Tiranës, vullnetaret dhe vullnetarët e këtij rrjeti, tha Rama, do të jenë pranë fëmijëve të këtij spitali, për t‘u dhënë atyre gëzim, për t‘u dhënë atyre shpresë dhe kurajë dhe do të jenë në krah të prindërve të tyre, që sot kanë nevojë jo vetëm për mbështetjen e mjekeve, mjekëve, infermierëve, të cilët në kushte shumë të vështira po ua japin këtë mbështetje, por edhe për mbështetjen e gjithë shoqërisë".