E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të verbrit, në një protestë të heshtur

Kanë festuar duke protestuar në heshtje 17-vjetorin e krijimit të shoqatës së tyre. Rreth 50 të verbër dje në qytetin e Elbasanit, të pamundur të dalin në shesh, kanë zgjedhur një lokal për protestën e tyre.

17 vjet më parë, në Elbasan, në 2 shkurtin e 1992-it u krijua për herë të parë Shoqata e të Verbërve të qarkut me rreth 450 anëtarë. Të pranishmit, në shenjë proteste ndaj indiferencës së shtetit, kanë qëndruar për disa minuta në heshtje dhe më pas kanë thirrur: Duam ta shohim jetën me "sytë" e ndijimit! Duam të ndihemi si gjithë të tjerët". Kryetari i kësaj shoqate, Gazment Karakyzi u shpreh se "jemi mbledhur sot për të kujtuar ditën e organizimit tonë në këtë shoqatë, për të nderuar shumë arritje të personave të verbër dhe atyre me shikim të pjesshëm në shumë fusha të jetës". Ai ka kërkuar sensibilizimin e mbarë komunitetit të Elbasanit, fushës së biznesit dhe instancave vendore që të respektojë këtë shtresë, e cila nuk mund të shohë, por e ndien jetën pa sy. "Nëse fati i keq i yni na solli kështu në jetë, të paktën në mungesë të syve, shteti të na sjellë "shikimin" duke na ingranuar në jetë e duke na ndihmuar financiarisht", ka theksuar Karakyzi. Që nga krijimi i saj, Shoqata e të Verbërve mbijeton në saj të ndihmave financiare tejet modeste të Këshillit të Qarkut të Elbasanit, si edhe të bashkisë së qytetit. Përmes tyre mundësohet realizimi i aktiviteteve që organizon kjo shoqatë. Ndërsa krerët vendorë të qarkut kanë pohuar se një ndihmë më të plotë mund të japin instancat vendore përkatëse, ku ata jetojnë në komuna e bashki, përderisa në rang qarku janë rreth 1000 të verbër, të cilët kërkojnë gjithmonë ndihmën e shtetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›