Tritoli në Shëngjin, arrestohen tre atentatorët
Zbardhet atentati me eksploziv ndaj pronarit të një lokali në Shëngjin të Lezhës, duke u prangosur tre persona, si autorë të dyshuar të saj. Elton Malaj, Altin Noga dhe Ernest Gega janë arrestuar nën akuzën e vrasjes me paramendim, e mbetur në tentativë, ndërkohë që policia dyshon se ata e kanë kryer këtë krim, pas disa konflikteve që kanë pasur me biznesmenin Eduart Cini, pas divorcit që ka pasur një nga autorët. Dy prej autorëve janë arrestuar gjatë orëve të natës, ndërkohë që i treti është kapur pasditen e djeshme, teksa po punonte si kamerier në një lokal në Lezhë. Duke bërë një rindërtim të ngjarjes, burimet policore kanë shpjeguar gjithë mekanizmin dhe hetimet e kryera për zbardhjen e ngjarjes. Sipas policisë, ngjarja u regjistrua në orën 07.30 të dy ditëve më parë, pas njoftimit të marrë së në portën hyrëse të një lokali, që administrohet me qira nga Eduart Cini, në lagjen "Sake", në rrugën e Shëngjinit, ndodhej një çantë me lëndë eksplozive, ku ishte e lidhur me një celular. Nga ana e shërbimeve të policisë u morën të gjitha masat për evakuimin e zonës, deri në një perimetër sigurie të nevojshëm, si dhe u njoftuan specialistët e njësisë antieksploziv në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Sipas hetimit, paralelisht me këto veprime, u punua për identifikimin e autorëve të mundshëm të ngjarjes përmes vlerësimit të pozicionit dhe konflikteve të të dëmtuarit Cini. Në orën 11.30, nga njësia antieksploziv u bë i mundur çaktivizimi i pajisjes shpërthyese, e cila ishte e ngjitur në një telefon celular të tipit "Nokia". Pas këtij momenti filluan veprimet procedurale si këqyrja e vendit të ngjarjes dhe u fiksuan në cilësinë e provës materiale mbetjet e lëndës eksplozive, e cila përbëhej nga nëntë paketa tritol. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga oficerët e policisë gjyqësore, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e tre autorëve të kësaj vepre penale. Kështu në mesnatë, policia vuri në pranga Altin Nogën, 32 vjeç, i divorcuar dhe Ernest Gegën, 17 vjeç. Pas arrestimit të tyre, policia zbuloi se bashkëpunëtor në këtë ngjarje ka qenë edhe Elton Malaj, 19 vjeç, i cili punonte si kamerier. Ndërsa për motivin e ngjarjes, policia tha se ka të bëjë me konfliktet që ka pasur Cini me autorët. Madje, dyshohet se këto konflikte kanë lindur pas divorcit që një nga autorët ka pasur me një të afërme të pronarit të lokalit. Policia tha se ata akuzohen për vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë.