Gazi natyror, ERE merr kompetencat
Tashmë, me ndryshimin e modelit të tregut energjetik në vend, detyrat për Entin Rregullator të Energjisë Elektrike, ERE, sa vijnë dhe bëhen më të vështira. Kjo është vërtetuar nga vetë qëndrimi i kreut të këtij institucioni, i cili, duke folur për gazetën, tha se përfshirja e tregut të gazit natyror në juridiksionin e Entit, do të kërkojë më shumë përgjegjësi nga ana e kësaj të fundit. Edhe pse zë peshë tepër të vogël në tregun shqiptar të konsumit, ndryshimi i modelit rregullator për gazin natyror parashikon që t‘i hapë rrugë zbatimit të projekteve gazsjellëse nëpër territorin e vendit tonë. Në këtë mënyrë, qeveria ka sjellë për miratim një projektligj, që përfshin ERE-n në kontrollin e gazit natyror në vend, tepër i domosdoshëm për prodhimin e energjisë elektrike nga termocentralet. Ligji ka mbërritur prej kohësh në Kuvend, por sot është dita e parë e diskutimeve, ku deputetët do të mund të njohin më nga afër atë çka propozon qeveria dhe atë çfarë kërkon ERE. Me miratimin e këtij ndryshimi, do të jete ERE institucioni që do të vendosë për tarifat e tregtimit të gazit natyror, që do t‘i nevojitet TEC-it të Vlorës, për të diktuar në këtë mënyrë çmimin e shitjes së energjisë elektrike te konsumatori final.