Rektori i UT-së: Pjesëmarrja në aleancën evropiane UNINOVIS, hapësirë e re për studentët dhe pedagogët

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Në nisje të vitit të ri akademik 2026-2027, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha ka uruar sot studentët dhe stafin akademik.
Hoxha thekson se e nisin këtë vit mbi një bazë të rëndësishme arritjesh akademike, kërkimore dhe ndërkombëtare.
Rektori nënvizon se në zbatim të Strategjisë së Zhvillimit të UT-së 2023–2028, për këtë vit synojnë të afrojmë më shumë mësimdhënien me kërkimin, të zgjerojmë pjesëmarrjen e studentëve në bashkëpunimet ndërkombëtare dhe të dëgjojmë më sistematikisht përvojën e tyre në universitet.
“Pjesëmarrja në aleancën evropiane UNINOVIS i jep këtij drejtimi një hapësirë të re. Me universitetet partnere po zhvillojmë përvoja ndërkombëtare mësimi, praktika kërkimore dhe programe të përbashkëta. Për studentët dhe stafin tonë, kjo krijon mundësi për të punuar me kolegë nga vende e disiplina të ndryshme dhe për të qenë pjesë aktive e jetës akademike evropiane”, shprehet Hoxha.
Në mesazhin e tij, Rektori i Universitetit të Tiranës ndalet edhe te teknologjitë digjitale dhe inteligjenca artificiale të cilat po ndryshojnë mënyrën si mësojmë, prodhojmë dije dhe ushtrojmë profesionet.
“Angazhimi ynë është t’i përfshijmë këto zhvillime në mësimdhënie dhe kërkim me përgjegjësi akademike, duke forcuar mendimin kritik, krijimtarinë dhe integritetin. Duam që të diplomuarit tanë të dinë të vlerësojnë informacionin, të përdorin me kompetencë teknologjinë dhe të marrin vendime të argumentuara në një botë që ndryshon shpejt”, shton ai.
Në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë, vijon Hoxha, UT ka një rol të rëndësishëm në formimin e profesionistëve dhe në zhvillimin e ekspertizës që kërkon ky proces.
Hoxha u drejtohet edhe pedagogëve duke nënvizuar se “cilësia e Universitetit të Tiranës ndërtohet çdo ditë nga puna juaj në mësimdhënie, kërkim dhe në mbështetjen e jetës akademike. Viti që nis na fton të ndajmë më shumë përvojën mes fakulteteve, të zhvillojmë bashkëpunime ndërdisiplinore dhe t’u krijojmë studentëve më shumë hapësirë për të marrë pjesë në kërkim”.
“Le ta nisim këtë vit me besim te njëri-tjetri dhe me gatishmërinë për të kontribuar së bashku në zhvillimin e Universitetit të Tiranës”, shprehet Rektori i Universitetit të Tiranës.