Vajza 3-vjeçare i nënshtrohet me sukses ndërhyrjes për heqjen e tumorit në trurin e vogël

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Një vajzë vetëm 3 vjeç e diagnostikuar me një tumor në trurin e vogël iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati 7 orë.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tha sot se “tumori në trurin e vogël ishte një sfidë e vështirë, veçanërisht në këtë moshë. Por falë përkushtimit, profesionalizmit dhe punës së palodhur të ekipit mjekësor, ndërhyrja u realizua me sukses dhe tumori u hoq i gjithi”.
Sot, falë kësaj ndërhyrjeje dhe kujdesit të ekipit mjekësor, fëmija gëzon shëndet të plotë.
QSUT thekson se pas ekzaminimit histologjik, trajtimi do të vijojë sipas protokollit të përcaktuar nga Bordi Multidisiplinar Onkopediatrik.
Prof. dr. Arturi Xhumari tha se “në këtë moshë është një sfidë për të gjithë ekipin të realizojë heqjen e këtij tumori, por patjetër që duhej bërë heqja sepse ishte e vetmja rrugë për shërimin e fëmijës”.
Sipas tij, falë ndërhyrjes së mjekëve u bë e mundur heqja e plotë e këtij tumorit pa pasoja për fëmijën.
“Kryem një rezonancë për të parë nëse është hequr i gjithë dhe ajo na konfirmoi që tumori ishte hequr i gjithë kështu që jemi në rrugë të mbarë”, tha prof. dr. Xhumari.
QSUT falënderon të gjithë ekipin që ishte pjesë e kësaj sfide: prof. dr. Artur Xhumarin, anestezistin Myfit Saraçi, kirurgun asistent Gramoz Brace, instrumentarët Refije Kadiu dhe Ervin Gjisha.
/k.s/r.e/a.f/