Rritje e interesit për Universitetin e Gjirokastrës, 15% më shumë studentë të regjistruar

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Universiteti “Eqrem Çabej” i Gjirokastrës ka çelur sot vitin e ri akademik, me një rritje të interesit për regjistrimet krahasuar me një vit më parë.
Në fazën e parë të regjistrimeve janë regjistruar rreth 300 studentë, ndërsa në të njëjtën fazë të vitit të kaluar ishin rreth 250 studentë.
Sipas rektoratit të këtij universitetit krahasuar me vitin e kaluar janë rreth 15% më shumë studentë të regjistruar.
Degët më të preferuara nga studentët këtë vit janë ato të Ekonomikut, Infermierisë dhe Teknologjisë së Informacionit, ndërsa programet e mësuesisë vijojnë të kenë numër më të ulët regjistrimesh.
Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Jaho Cana, tha sot se pavarësisht shifrave të deritanishme të regjistrimeve, asnjë program studimi pranë këtij universiteti nuk rrezikon mbylljen.
“Universiteti i Gjirokastrës ofron programe studimi në fushat e shkencave shoqërore, natyrore dhe edukimit, duke vijuar të luajë një rol të rëndësishëm në formimin akademik të të rinjve në jug të vendit”, tha Cana.
Me një histori rreth 60-vjeçare, Universiteti “Eqrem Çabej” është një prej institucioneve të rëndësishme të arsimit të lartë në jug të Shqipërisë dhe vijon të ofrojë programe studimi në funksion të nevojave të studentëve dhe rajonit.
/k.s/a.f/r.e/