E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekuperohet Bogdani, gati për të dielen

Erjon Bogdani hedh pas krahëve dëmtimet që e penguan jo pak gjatë muajit shtator dhe do të jetë i gatshëm për të luajtur të dielën.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, i cili aktivizohet me Kievon në Serinë A, ka kaluar një periudhë aspak të lumtur, ku fillimisht pësoi një kontraktim në ndeshjet eliminatore, ndërsa në fillim të kësaj jave u dëmtua në kavilje.

Megjithatë, nga Italia vijnë lajme të shkëlqyera, edhe sepse sfidat për Botërorin 2010 me Hungarinë dhe Danimarkën po afrojnë.

Dje “Er-Bomber” u stërvit rregullisht me pjesën tjetër të lojtarëve te Kievo dhe sipas klubit ai do të jetë i gatshëm për sfidën që skuadra do të luajë në fundjavë me Katanian. Kuqeziu mungoi në ndeshjen e së mërkurës, ku veronezët nuk morën më shumë se barazimi 1-1 me Torinon.

Duke qëndruar në elitën e futbollit italian dhe te përballja e mesjavës, Kievo-Torino, në Serinë A ka debutuar edhe shqiptaro-maqedonasi, Blerim Xhemaili.

Mesfushori me pasaportë zvicerane, që luan për torinezët tha për mediat:

 “Përpara ndeshjes isha paksa i nervozuar dhe i emocionuar, pasi vetëm 30 minuta përpara fillimit, mësova se do të luaja. Megjithatë, shokët këtu te Torino dhe të gjithë të tjerët u treguan të jashtëzakonshëm, duke më qetësuar dhe dhënë kurajë. Ky është një grup mjaft i bukur”.

Më tej, Xhemaili foli për barazimin në “Bentegodi”: “Me Kievon luajtëm shumë mirë në 45 minutat e para, ndërsa në pjesën e dytë ata ushtruan shumë presing dhe arritën të barazonin.

Falënderoj trajnerin që më dha besim, e jam shumë i lumtur. Megjithatë, ende mund të mësoj, mbi të gjitha nga Korini. Ndjehem mirë fizikisht dhe besoj se këtë e tregova të mërkurën”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›