Tërhiqet policia, të prekurit nga reforma

Me anën e një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit lajmëronte se “për nevoja pune” behet sërish ristrukturimi në radhët e policisë.
Pas vitit 2005, vit kur erdhi në pushtet Partia Demokratike, u kryen një sërë reformash në radhët e uniformave blu, ku u largua rreth 30 për qind e organikës.
Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit u larguan nga postet, duke u transferuar në rrethe të largëta. Pas “degdisjes”, ata u vetëdorëhoqën, duke i kushtuar rëndësi aktivitetit privat.
Por, tashmë vjen një lajm i ri se mund të ripranohen, por duket se tashmë është vonë. Shumica e punonjësve të policisë mund të presë edhe disa muaj me shpresë se diçka mund të ndryshojë në lidhje me profesionin e tyre.
Gjithsesi, hallexhinjtë apo të papunët tashmë kanë një shans për të nxjerrë bukën e gojës për disa muaj, pasi janë lënë në mëshirë të fatit për tre vite me radhë.
Pranimet në polici
Me qëllim njoftimin e të gjithë punonjësve, që kanë dëshirë për të punuar, Policia e Shtetit njofton se “për nevoja pune, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë se Shtetit njofton të gjithë shtetasit që kanë punuar në strukturat e policisë dhe dëshirojnë të ripranohen në këto struktura, se duke filluar nga dita e hënë, datë 29 shtator 2008, mund të aplikojnë pranë Drejtorive të Policisë së Qarqeve ku kanë vendbanimin”.
Tentativa për të rikthyer kuadrot dhe punonjësit në funksionet e lira organike, është në përputhje me nenin 58 të Ligjit nr. 9749, datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”.
“Aplikimet mund të bëhen vetëm nga ish-punonjësit e policisë që janë larguar nga policia me motivacionin ‘Për shkurtimi të funksionit organik’ ose ‘Me kërkesën e tyre’. Për dokumentacionin që duhet të paraqitet do të informoheni pranë Drejtorive të Policisë së Qarqeve, ku do të bëni aplikimin”, thanë burimet nga Policia e Shtetit.
Kush nuk pranohet
Por, në ligjin e Policisë së Shtetit nuk pranohen punonjësit që janë larguar si të paaftë nga ana shëndetësore me vendim të komisionit mjeko-ligjor.
Gjithashtu nuk pranohen punonjësit e policisë që nuk kanë pranuar uljen në gradë, si dhe punonjësit e policisë që janë punësuar në struktura të tjera të administratës publike, në funksione që kanë për objekt çështje të rendit e të sigurisë publike.
“Nuk pranohen punonjësit e policisë që kanë mbushur moshën për pension të plotë pleqërie dhe ata që nuk kanë kaluar kursin e Shkollës Bazë të Policisë”, thanë burimet nga Policia e Shtetit.
Gjithashtu jashtë uniformave blu mbeten të gjithë të larguarit që janë dënuar me burgim me vendim gjyqësor të formës së prerë, si dhe kur ndaj tij merret masa disiplinore e përjashtimit nga policia.
Reforma e policisë
Drejtori i Policisë së Shtetit deklaroi disa javë më parë se në ligjin e ri, të miratuar nga qeveria, përfshihen rreth 9700 punonjës policie. Ai thekson se janë identifikuar një numër punonjësish që nuk përmbushën kërkesat e vjetërsisë për gradë, si në strukturat me uniformë në polici ashtu dhe në strukturat që kryejnë shërbime mbështetëse.
“Ndërkohë që, shumica e këtyre punonjësve përmbushin kriteret për të vazhduar shërbimin në Policinë e Shtetit në funksione me grada më të ulëta, në përshtatje me aftësitë dhe përvojën e tyre.
Po merren të gjitha masat e nevojshme për transferimin e këtyre punonjësve për të qëndruar në shërbim në pozicione të tjera, të përshtatshme për gradën që përfitojnë”, tha Prençi, duke i vënë theksin se është një numër mjaft i vogël i punonjësve të policisë të nivelit zbatues, të cilët për mosplotësim të kritereve ligjore, nuk do të mund të vazhdojnë të shërbejnë në Policinë e Shtetit.