Relativiteti i ndershmërisë me veten dhe shoqërinë...
Ndershmërinë e kam dashur gjithmonë, por në fakt, besoj se edhe ajo si dukuri social-politike dhe kulturore është e mbizotëruar nga relativiteti i saj i cili rezulton absolut vetë me veten.
Jam i sigurt që publikisht të gjithë paradeklarohemi të ndershëm, por pak ngelemi të tillë kur e vërteta e relativitetit vjen në një çast domethënës. Kjo pa dyshim si nga pikëpamja dhe relacionet e individit kundrejt shoqërisë, ashtu edhe individit kundrejt familjes.
Fillimisht, më duhet të them se këtë lloj reflektimi e pata kur këto ditë, në rrugët e Tiranës, pashë një ish-ministër të Brendshëm të periudhës komuniste, historinë familjare të të cilit e dija nga xhaxhai im, i cili e kishte pasur komshi pas diplomimit të tij në Poloni!
Ai ish-ministër, shumë i fuqishëm politikisht për kohën e tij, tashmë është një burrë plak dhe i kërrusur nën peshën e viteve dhe që kalon ditët e tij nën peshën e kujtimeve personale si gjithë të tjerët, por që në rastin e gjithsecilit janë specifike.
Zotëria, nga një punëtor i thjeshtë dhe besimtar tek Zoti, u bë sekretar partie në një ndërmarrje socialiste, më pas sekretar partie i një qyteti periferik dhe në fund, fare pa e pritur, ministër i Brendshëm dhe i gjithëpushtetshëm deri një post më poshtë diktatorit…
Kjo arritje i bëri të mundur atij të sjellë gjithë familjen e tij në një nga vilat më të qenësishme të kryeqytetit të varfër shqiptar. Në atë botë ai ka qenë sigurisht i ndërgjegjshëm se aty nuk e solli Zoti, por diktatori, i cili duhet të jetë bërë Zoti i ri për të!
M’u kujtua se në vitet ’90, ndërsa shoqëria kishte filluar të kërkonte ndryshime dhe pluralizmin politik, dikush tha se ishte dhënë edhe një urdhër nga ministri i atëhershëm i Brendshëm për të qëlluar mbi turmat që të ruhej sistemi komunist i vendit dhe vlerat e tij...!
Tek e shikoja atë burrë ashtu të kërrusur, në një moment jetësor të cilit askush nuk mund t’i shpëtojë, u ndjeva i sigurt që pa dyshim ai e kishte dhënë atë urdhër jo më për të mbrojtur diktatorin, por për të ruajtur të gjitha të mirat materiale që ai i kishte dhënë familjes së tij, pa të cilat nuk arrinte dot të përfytyronte veten që të bëhej, në fakt, pak a shumë ndoshta kështu siç është sot...!
“Njeriu në jetë dëbiret, dëbiret dhe shkret녔
Duke i qëndruar reflektimit nga pikëpamja e relacioneve individ – shoqëri pa dyshim që metamorfoza e ish-ministrit komunist në ditët e sotme ndodh tek gjithsecili në mënyra të ndryshme dhe besoj se vlen të ndajmë parimisht një ide të përafërt me lexuesin e gazetës për të kthjelluar sadopak individin e sotëm në lidhje me këtë fenomen të pashmangshëm njerëzor.
Personalisht, jam i sigurt që shumë prej nesh, ndonëse nuk e pranojmë hapur mendimin poetik nolian që thotë: “Njeriu në jetë dëbiret, dëbiret dhe shkret…”, e kanë provuar në forma dhe rrethana të ndryshme këtë filozofi idealiste jo vetëm noliane.
Besoj apriori se me ndërrimin e pushteteve politike shumë qytetarëve u bie të ndihen të ndershëm, ndërsa akuzat dhe patosi i tyre shkrihen në një mbi politikanin e korruptuar dhe administratorin batakçi! Por... kur ndërrimi i pushtetit i hedh ata në një zyrë të caktuar, shumë pak prej tyre nuk i nënshtrohen “bujarisë” së njohur të zarfeve me para të cilat pa të lodhur të rregullojnë shtëpinë, familjen, garantojnë pushimet...!
Në sistemin gjyqësor…
Po kështu, por me ngjyra të tjera, ndodh realiteti kundrejt gjykatësit i cili i sapoardhur në detyrë pas bankave të fakultetit apo edhe ndonjë eksperiencë tjetër, me pasion respekton prokurorin, ligjin dhe dëgjon me skepticizëm avokatin ndërsa me drejtshmëri ndëshkon krimin!
Por, kur edhe këtij njeriu si gjithë të tjerët, i shfaqet pushteti i parasë afër dhe i mundshëm, ai rrezikon të konvertohet në të mira të mundshme materiale dhe familjare. Natyra e tij njerëzore pa dyshim që i nënshtrohet llogarisë dhe përfitimeve të mundshme.
Gjykatësi në këtë rast bëhet si gjithë njerëzit e tjerë dhe arsyeton se asnjë ligj nuk është i përjetshëm dhe se ligjet amendohen e kjo sjell që ndërsa një veprim sot gjykohet i gabuar, ai nesër mund të rezultojë i drejtë.
Nga njeri i zakonshëm, ai në fund në vend të Ligjit Zot pranon paranë si të tillë, duke bërë biznes me pozicionin e tij dhe përmirësuar jetën e familjes dhe ndoshta fëmijëve, por duke rezultuar në fund i korruptuar…
Në familje, midis brezave dhe kohëve...
Që askush nuk i shmanget këtij fenomeni besoj se analiza e tij njerëzore është interesante në këndvështrimin individ – familje. Në këto dimensione atij nuk mund t’i shpëtojë askush si nga pikëpamja gjinore apo qoftë edhe socio-politike dhe kulturore e gjithsecilit.
Besoj apriori se gjithsecili nga ne kujton vitet kur ishte fëmijë dhe u kërkonte prindërve veç më shumë përgjegjësi dhe më shumë mundësi jetësore, pa dyshim duke iu referuar bashkëmoshatarëve të tyre të cilët rezultonin më komod nga pikëpamja e trashëgimisë familjare!
Sigurisht në atë botë të gjithë besojnë se kur të vinte dita që do bëhej prind, do ishte shumë më i mirë me fëmijët e tij apo të saj, se ç’ishin të tijtë me të... Por, ndërsa jemi të tillë, nuk bëjmë më shumë se kujtojmë fjalët e tyre të thëna me sqimë dhe mendojmë si t’ua transmetojmë sa më mirë fëmijëve tanë këtë leksion të jetës...!