E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enver Lepenica: Përballë klithmave të korbave



Këto ditë ka dalë në qarkullim libri i ri, “Z. Enver Memisha (Lepenica): Përballë klithmave të korbave” i cili është një përmbledhje e polemikave historike që z. Enver Memishaj ka bërë gjatë viteve të fundit me komunistë si Muço Boci, Odise Grillo, Vasil Qesari, Xhafer Peçi, Hamza Malaj, Sabit Brokaj, Frrok Çupi, Xhemil Frashëri, Neshat Tozaj, Zenepe Luka, Mezan Malaj etj.

Libri përmbledh edhe polemika kundër dukurive, mendësive dhe besimeve komuniste si: ç`duhet të bëjnë të persekutuarit politikë përpara revanshit komunist të viteve 1997 e në vazhdim; kush po e bën luftën komuniste sot në Shqipëri; kush po i fryn erës së luftës civile; përse sulmohet policia; hakmarrja e Sigurimit të Shtetit ndaj oficerëve të SHIK-ut; pse i vranë komunistët 235 oficerë dhe nënoficerë të policisë dhe të SHIK-ut; vlerat shoqërore të njerëzve të thjeshtë si Sefer Dauti, Mimi Risilia, Jaup Xhezo, Dhimë Todri etj.

Autori na jep edhe listën me 235 efektiva të policisë dhe të SHIK-ut të rënë në krye të detyrës kryesisht në luftë me bandat komuniste.

Ne fund, libri ka një kapitull për disa personalitete të Lepenicës, vendlindjes së autorit, si Yzeir Lame, Neshet Nguci, Oltiana dhe Xhanfize Lepenica, Lekë Hysaj, Merushe Hoxhaj, Sali Lepenica, Artur Hysaj, Adem Sinanaj, i paharruari Xhevahir Rexhepaj, shoqata “Lepenica” etj.

Shkrimet bazohen në fakte historike, autori përmend shumë emra konkretë të cilët i cilëson si përgjegjës për fenomenet dhe ngjarjet shoqërore dhe historike gjatë diktaturës komuniste 1944-1990 dhe 1997-2005.

Si parathënie e librit shërbejnë rezolutat e Këshillit të Evropës dhe ajo e Kuvendit të Shqipërisë të vitit 2006, për dënimin ndërkombëtar të diktaturës komuniste, gjë që tregon se këto rezoluta janë frymëzimi, orientimi, shtytja, misioni dhe detyrimi për botimin e këtij libri.

Ideja kryesore që përshkon fund e krye këtë libër është ajo e shkrimit “Nga zëri ynë varet vdekja ose rrojtja e Shqipërisë”, pra autori i bën thirrje ndërgjegjes së çdo shqiptari që duhet të ndiejë përgjegjësinë përpara shoqërisë dhe kombit të tij dhe duhet të flasë e të marrë pjesë aktive në jetën shoqërore, ndryshe, gjendja e vendit të vet nuk mund të ndryshojë.

Kjo pra është edhe arsyeja se përse flet dhe polemizon z. Enver Memishaj.

Në mes rreshtave të këtij libri, lexuesi duhet të lexojë dhe të kuptojë gjithashtu thirrjen e heshtur që bën autori që të arratisemi nga e kaluara e hidhur e diktaturës komuniste.

Përse duhet lexuar ky libër?

Shkrimet e këtij libri janë edhe dëshmi autentike që i duhen historisë tonë sepse janë të mbushura me fakte historike, si të tilla ato ngjallin interes tek lexuesi dhe njëkohësisht u shtohen botimeve me vlerë të fushës publicistike.

Z. Enver Memishaj në asnjë rast nuk ka qenë i pari që të ketë çelur polemikën ose të ketë sulmuar komunistët për krimet e tyre, përkundrazi, ai në të gjitha rastet vetëm u është përgjigjur sulmeve, shpifjeve dhe urrejtjes së komunistëve, ndaj “armikut” të klasës.

Në shkrimet polemizuese z. Memishaj nuk merret me individin që e sulmon, por me fenomenin dhe mentalitetin komunist, sepse komunistët pretendojnë që Shqipëria është pronë e tyre dhe se historinë kanë të drejtë ta bëjnë dhe ta shkruajnë ata vetë dhe se “armiku” i klasës duhet të heshtë dhe të dëgjojë, ndryshe ata i presin gjuhën, njësoj siç vepronte sh. Hysni dhe sh. Kadri!

Në këtë mënyrë, polemika merr përmasat e një debati historik për temën që trajtohet.

Polemika e z. Enver Memishaj sjell diçka të re, sepse së pari, ai në shumicën e shkrimeve boton të plotë shkrimin e kundërshtarit të tij dhe përballë këtij shkrimi ai rendit fakte dhe prova të shumta historike që hedhin poshtë sulmet e kundërshtarëve, të mbushura me fjalë boshe dhe retorikë, si të pabaza dhe të pamoralshme. Kështu vepron me Vasil Qesarin, Mezan Malajn, Odise Grillon, Xhemil Frashërin etj.

Në shumicën e shkrimeve z. Memishaj u bën thirrje kundërshtarëve të tij që të vazhdojnë polemikën, si provë e ndershmërisë së tyre, por asnjë prej kundërshtarëve të tij nuk guxoi të vazhdonte polemikën, çka flet fare qartë se e drejta dhe e vërteta është në anën e autorit të këtij libri.

Kështu pra del e qartë se autori i librit, z. Enver Memishaj, di të polemizojë, brenda normave qytetare dhe morale, duke i dhënë rëndësi dukurisë dhe jo individit.

Gjuha që përdor autori në këtë libër është e pasur, ekspresive, e thjeshtë dhe mbresëlënëse, duke përdorur një fjalor të pasur.

Këtu nuk ka retorikë, nuk përsëriten fjalët, por paraqiten fakte dhe prova, tregohen haptazi krimet e vjetra të baballarëve dhe të rejat të bijve në pushtet 1997 – 2005. Argumentimi i tyre ka sjellë heshtje varri tek komunistët ose kriminelët e djeshëm, të cilët nuk guxuan të vazhdonin më polemikën siç u bën thirrje autori.

Kur jam njohur me publicistikën e viteve ‘30 jam habitur me mënyrën e shkrimit dhe fakteve që rendisnin. Memishaj ecën pikërisht nën këtë udhë të traditës, duke kërkuar e gjetur fakte që i mbërthejnë me shpatulla për muri kundërshtarët e tij.

Dihej përgjegjësia që autori merrte përsipër duke replikuar me njerëz të veshur me pushtet dhe që dinin të flisnin vetëm me gjuhën e armëve. Kjo gjendje nuk e ndali z. Enver Memishaj t’u përgjigjej këtyre njerëzve, sepse siç më ka thënë ai vetë, ai kishte me vete një mburojë dhe avokat të pamposhtur - të vërtetën.

Pena e autorit Lepenica është një ogur i mbarë në historinë tonë, por dhe veçanërisht në publicistikën shqiptare. Është një zë i veçantë, i kthjellët e serioz.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›