Propozimet, Topi thërret sot Berishën e Ramën
Bisedimet trepalëshe nisën paraditen e së shtunës, do të vazhdojnë sot dhe do të mbyllen para ardhjes së përfaqësuesve të lartë të KE-së në Tiranë me datën 22 shkurt. Presidenti Bamir Topi ka lajmëruar sot takime të tjera me dy liderët politikë, Sali Berisha dhe Edi Rama, por edhe konsultime me ambasadorët e akredituar në Tiranë. Por kësaj here, takimet me Berishën dhe Ramën Presidenti Bamir Topi do t’i zhvillojë të veçanta. Takimet e sotme kreu i shtetit do t’i nisë që në orën 10:00 të paradites me ambasadorin e KE-së në Tiranë, Lohan dhe atë të Spanjës, Montobio. Në orën 12:00 do të takojë kreun e PS-së, Edi Rama, dhe një orë më pas, pikërisht në orën 13:00, ka fiksuar takimin me Kryeministrin Sali Berisha. Burimet bëjnë të ditur se këtë radhë palët do të paraqesin propozimet konkrete në tavolinën e z. Topi dhe mbi bazën e tyre do të hapet sërish diskutimi për zgjidhjen e ngërçit politik. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Sali Berisha la të kuptohet qartë se është për vijimin e dialogut me Presidentin e Republikës, ndonëse ripohoi edhe një herë se nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave. Presidenca po sheh të gjitha mundësitë për të vazhduar dialogun mes krerëve të PD-së dhe PS-së. Pavarësisht se tryeza e së shtunës nuk prodhoi rezultat konkret për daljen nga kriza, Presidenti e konsideroi të suksesshëm faktin që palët ishin ulur përballë njëra-tjetrës dhe ishte zotuar të bënin të mundur vijimin e dialogut. Takimet e veçanta të ditës së sotme në Presidencë janë përgatitur intensivisht nga kanale komunikimi zyrtare mes pallatit presidencial, kryeministrisë dhe selisë socialiste. Burimet pohojnë se palëve mund t'u paraqiten kësaj here propozime konkrete, në përpjekjen për të afruar qëndrimet e tyre, që për momentin duken diametralisht të kundërta. Por përpara këtyre takimeve, Presidenti i Republikës pritet të takohet me kreun e delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadorin Lohan, dhe ambasadorin e Spanjës, Montobio, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. Pavarësisht se tryeza e së shtunës nuk prodhoi rezultat konkret për daljen nga kriza, Presidenti Topi duket se është optimist për vijimin e dialogut deri në një zgjidhje konkrete të ngërçit politik. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, z. Berisha u shpreh: “Tryeza përfundoi duke i kërkuar Presidentit të vazhdojë më tej eksplorimin e mundësive për gjetjen e konvergjencave midis palëve. Kurse unë dua t’ju them juve dhe mbarë shqiptarëve, shpreha vullnetin tim të ndershëm, të sinqertë që të ulem me opozitën dhe të trajtoj një për një të gjithë listën e problemeve që opozita ka me qeverinë, për qeverinë apo për PD-në, në frymë më të hapur, më konstruktive”.