AH1N1, mbërrijnë 10 mijë vaksinat
Kanë mbërritur dje 10 mijë dozat e para të vaksinës kundër gripit AH1N1, të cilat janë magazinuar në Institutin e Shëndetit Publik. Shpërndarja e tyre bëhet e ditur se do të nisë nga fillimi i javës tjetër nga ISHP në drejtoritë e Shëndetit Publik dhe më tej në qendrat shëndetësore ku për grupe të caktuara do të ofrohet falas. Sipas të dhënave sasia e parë e vaksinave do t’u ofrohet fëmijëve mbi 1 vjeç me një sëmundje kronike shoqëruese dhe disa grupeve të personelit shëndetësor me ekspozim më të madh ndaj pacienteve të sëmurë me AH1N1 siç janë infeksionistët, reanimatorët apo pediatrit. Nga ana e institucioneve shëndetësore bëhet e ditur se vaksina nuk është e detyrueshme por gjithsesi prindërve fëmijët e të cilëve vuajnë nga sëmundje kronike shoqëruese duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të paraqiten për vaksinimin e fëmijëve të tyre në qendrat shëndetësore. Vaksina e ofruar nga Ministria e Shëndetësisë parashikohet që krahas masave të marra deri më tani të japë një efekt pozitiv në kontrollin e pasojave në shëndet për personat e prekur apo ata që rrezikojnë në këtë situatë përhapjeje të gripit të ri AH1N1. Ampulat 0.5 ml të vaksinës janë të shoqëruara gjithashtu me shiringat përkatëse. Fluval P, e prodhuesit hungarez Omninvest, është vaksina që bën pjesë në listën prej tetë të tillash të licencuara nga të paktën një agjenci rregullatore e Bashkimit Evropian. Fluval P përmban virusin e inaktivuar, dhe adjutantin me bazë fosfat alumini. Por lidhur me kujdesin që duhet treguar nga institucionet shëndetësore bëhet e ditur se vaksina është e prodhuar nga derivate të vezës dhe për këtë arsye nuk këshillohet që të jepet tek personat me alergji ndaj vezës. Gjithashtu duhet pasur parasysh që të mos aplikohet për fëmijët nën 1 vjeç. Edhe dozimi ndryshon në vartësi të moshës, për personat mbi 12 vjeç aplikohet dozë e plotë prej 0.5 ml ndërsa për fëmijët nga 12 muajsh deri 12 vjeç gjysma e dozës. Sipas të dhënave nuk ka raporte për efekte anësore të rënda prej kësaj vaksine. E ndërkohë që 10 mijë vaksinat tashmë kanë mbërritur dhe pritet të shpërndahen në fillim të javës pritet, brenda 10 ditësh një sasi e dytë prej rreth 15 000 ampulash dhe më tej sasi të tjera në vartësi të nevojës që do të lindë. Për t’u vaksinuar vëmendja ju është kushtuar grupeve të popullatës me risk më të larë. Deri më tani në vendin tonë nga gripi AH1N1 kanë gjetur vdekjen disa persona por që nga mjekët është theksuar se ata kanë pasur edhe komplikacione të tjera me shëndetin dhe kjo i ka përkeqësuar gjendjen. Ndërkohë nga ana tjetër rastet e të prekurve me gripin e derrit vazhdojnë të rriten kjo edhe si rezultat i impaktit që jep situate e favorshme e kësaj stine. Ministri Vasili: Shëndetësia ka nevojë për njerëz të kualifikuar Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili mori pjesë në konferencën shkencore të Gastrohepatologjisë duke e vënë theksin në një sërë fenomenesh që shfaqen në shëndetësi. Sipas tij ofrimi i shërbimeve drejt shtresave të varfra, atyre që paguajnë sigurime apo kualifikimi i mëtejshëm i personalit mjekësor janë disa nga pikat kyçe ku duhet të përqendrohet puna. “Spitale publike do të thotë spitale që ofrojnë shërbime falas për fëmijët, shtresat e varfra të popullsisë dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi që paguajnë sigurimet shëndetësore. Abuzuesit nuk mund të marrin shërbime falas. Kjo është rruga e vetme ku mund të ecë një shëndetësi e shëndetëshme dhe pa borxhe” u shpreh ministri. Sipas ministrit Vasili dy janë drejtimet kryesore që duhet të ndjekë sistemi shëndetësor sot: teknologji bashkohore, diagnostifikim i shpejtë si dhe lehtësim i sistemin nga mbingarkesat e panevojshme. Duke kujtuar një plejadë mjekësh dhe profesorësh që kanë punuar për këtë fushë të mjekësisë shqiptarë ministri i shëndetësisë e vuri dhe një herë theksin në nevojën e kualifikimit të mjekëve dhe gjithë punonjësve të sistemit shëndetësor. “Që një sistem shëndetësor të jetë funksional duket të ketë punonjës të kualifikuar. Një sistem shëndetësor nuk mund të funksionojë pa mjekë, infermierë dhe personel shëndetësor që nuk thellohet në dijen mjekësore. Koha e personave që abuzojnë me atë kategori të popullatës që është e rregullt e disiplinuar dhe paguan rregullisht sigurimet shëndetësore ka mbaruar” tha kreu i Ministrisë së Shëndetësisë. Gjatë kësaj konference kompania farmaceutike, SOLVAY, i dhuroi Qendrës Spitalore Universitare “ Nënë Tereza” një çek prej 10 mijë eurosh, duke e cilësuar atë si një dhuratë të simbolike në prag festash. Ministri përshëndeti këtë akt duke e cilësuar një kontribut të vlefshëm dhe shenjë domethënëse të bashkëpunimit mes sektorit privat dhe atij publik në fushën e shëndetësisë.