E Diel, 1 Nëntor 2026

Remonti në linjën 400 kilovolt, sot nisin kufizimet e dritave

Remontet në stacionin e Zëmblakut dhe të linjës 400 kilovolt, edhe për këtë javë pritet të rikthejnë orët pa drita në rajonin juglindor. Kufizimet e energjisë do variojnë nga 6 apo 7 orë në ditë. 

KORÇË - Rajoni i Korçës do të ketë sërish ndërprerje të energjisë elektrike me orare të zgjatura. Që sot rikthehen kufizimet e energjisë elektrike, jo vetëm në Korçë, por edhe më gjerë. Kjo, për shkak të remontit në linjën 400 kilovolt të interkonjeksionit që eksporton energji në Greqi. Remontet në stacionin e Zëmblakut dhe të linjës 400 kilovolt, edhe për këtë javë pritet të rikthejnë orët pa drita në rajonin juglindor. Edhe pse ishte parashikuar që punimet dhe remontet në linja të përfundonin gjatë ditës së premte të javës së kaluar, ato do të vazhdojnë edhe për gati një javë tjetër. Mësohet se kufizimet e energjisë do variojnë nga 6 apo 7 orë në ditë. Sipas një grafiku të hartuar nga OSSH-ja, rrethi i Korçës do të ketë kufizime të energjisë nga ora 09:00 deri në orën 16:00. Ky kufizim është për qytetin, ndërsa në fshatra parashikohet të jetë edhe më i zgjatur. Burime zyrtare nga OSSH-së bëjnë me dije se, rajoni i Korçës, për shkak të këtyre remonteve do të furnizohet me linjën e vjetër 110 kilovolt që vjen nga Elbasani. Problemet për banorët e Korçës do të jenë jo vetëm me kufizimet e energjisë për orë të tëra, por edhe me vënien në funksionim të linjës së vjetër. Për shkak të amortizimit dhe humbjeve në rrjet me linjën e vjetër 110 kilovolt, tensioni i energjisë elektrike është mjaft i dobët dhe me një ndriçim të pakët. Luhatjet e këtij tensioni përbëjnë rrezik për pajisjet elektro-shtëpiake. Kjo u vu re disa ditë më parë, gjatë furnizimit nga linja e vjetër dhe shkëputjes së furnizimit me drita nga linja 400 kilovolt.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›