Çim Muça “braktis” Dinamon për Italinë
Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, nga dita e hënë ndodhet në Konverçiano, Itali, duke ndjekur një kurs njëjavor për trajner. Deri të premten, atëherë kur Muça do të kthehet në Shqipëri, stërvitja e skuadrës do drejtohet nga ndihmësit e tij, Artan Mërgjyshi, Ilir Bozhiqi e Marko Konen. Por, përtej këtij kursi të teknikut, që gjithsesi duhet parë si vlerë pozitive për trajnerët tanë nga presidentët e skuadrave, situata në skuadrën dinamovite duket më shumë se kaotike. Pas dorëzimit pa kushte në ndeshjen e së dielës në “Qemal Stafa”, dinamovitët duket se janë dorëzuar që dje, edhe për ndeshjen me Apoloninë në Fier. Në kampin dinamovit tashmë nuk pranon të flasë më askush, sepse nuk duan më të gënjejnë nëpër media me teza të tilla “mungesë impenjimi, apo motivimi. Apo do të luajmë për të fituar”. Dhe bindesh që Dinamo nuk ka për të bërë as përpjekjen më të vogël për të marrë qoftë edhe barazimin në Fier, edhe nga një fakt tjetër: skuadra nuk do të grumbullohet një ditë përpara ndeshjes.