E Diel, 1 Nëntor 2026

Rendi: Nuk dime gjë për vrasjen e Palokës nga polici italian

28/10/2004  

TIRANË – Shpend Paloka, 25-vjeçari i vrarë në Itali nga një polic, duket si "malli pa zot". Asnjë strukture të tokës së tij amë nuk i intereson shumë se çfarë është bërë me trupin dhe zbardhjen e së vërtetës rreth vrasjes së tij një javë më parë nga një punonjës policie, në një zonë periferike të kryeqytetit italian. Në Ministrinë e Rendit ngrenë supet, pasi askush nuk ka kompetencë për t'u marrë më ngjarje të tilla. Kur pyet, "topi" hidhet nga një strukturë te tjetra, por duket se për shtetasit shqiptarë që vriten jashtë kufijve, shteti nuk e vë shumë ujin në zjarr. Ndoshta vetëm pasi të mbërrijë ndonjë dosje nga Italia, ajo do të mund të arkivohet dhe emri i Shpendit të shënohet në listat e shqiptarëve të vrarë nga policia gjatë viteve të fundit. Dhe këtu historia do të mbarojë... Italia është larg për të bërë vetëgjyqësi familja, ndaj strukturat policore, ato të prokurorisë, apo atë të Ministrisë së Drejtësisë, duket se do të mund të flenë të qeta. "Kur të vijnë materialet nga homologët... do të flasim", askush nuk guxon duket të ngre zërin dhe t'i kërkojë "homologëve" një arsye për gjithë ngjarjen. Një arsye të paktën për familjen. Trupi i Shpend Palokës do të rrinte për javë të tëra ndoshta në Itali, nëse familja e tij nuk do të kishte mundësinë që ta sillte këtej. Shpend Paloka akuzohej nga drejtësia italiane si i përfshirë në trafik lëndësh narkotike dhe në grabitje me dhunë. Ama askush në vendlindjen e Shpendit duket se nuk ka kurajon që t'i kujtojë homologëve se ai vetëm akuzohej, se nuk ishte shpallur fajtor dhe se dikush duhet të mbajë përgjegjësi, dhe jo pak biles, për jetën e tij të prerë në mes. "I mirë, a i keq", i inkriminuar apo jo, Shpendi ishte njëri nga ato që kishte të drejtën për të votuar për shtetin e tij, strukturat e të cilit mund ta linin dhe pa varr dhe pa të vërtetë nga pas. 25-vjeçari me origjinë nga një fshat i Fushë-Krujës është vrarë rreth një javë më parë nga një punonjës i policisë së Katanias. Këta të fundit kanë bërë të ditur se ishin në një operacion për kapjen e Palokës, kur kanë rënë në gjurmët e tij dhe i janë vënë pas. Polici, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, ka menduar se mos "shënjestra" e aksionit, Shpend Paloka, ka qenë i armatosur dhe ka qëlluar një herë në drejtim të tij. 25-vjeçari, i cili ka qenë krejtësisht i "pastër" nga armët apo droga në ato momente, ka vdekur pak më vonë në një spital të Romës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›