E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri ditë leje nga gjakësi për të dëshmuar në gjykatë

28/10/2004  

TIRANË –I ngujuar. Nuk mund të dalë, dikush pret ta vrasë, nëse ndodh ndryshe. Që prej vitit 1992 jeton në hasmëri. Familja Rustemi nuk pranon të pajtohet, madje i ka përcaktuar edhe vendet ku duhet të lëvizë, në rast të kundërt, ata nuk japin garanci për jetën. Ka në trup shtatë plagë. Megjithatë 12 vjet më parë midis tyre zënka ka përfunduar tragjikisht. Ardian Majnishta, në vitin 1992 ka vrarë shtetasin Ruzhdi Rustemi. Që të dy janë nga Shkodra. Sipas shpjegimeve të Ardianit, midis tij dhe Ruzhdiut, ka ndodhur një zënkë, që ai e quan si mes të rinjsh. Nga grindja të dy kanë dalë të plagosur dhe kanë përfunduar në spital. Por fati i keq bëri që Ruzhdi Rustemi të gjente vdekjen. Ndërsa Ardiani, pas mjekimeve shpëtoi. Ai është shpallur më pas i paajshëm, pasi vepra sipas gjykatës, është kryer në kushtet e vtmbrojtjes

Largimi

Midis dy familjeve marrëdhëniet u acaruan. Kështu që, Ardiani, për të mbrojtur veten nga gjakësi, largohet jashtë vendit. Kthehet në vendin e lindjes vetëm një vit më parë. Kthimi qe përsëri tragjik. Ai humbi të vëllanë Lec Majnishtën. Për këtë vrasje, policia vuri në pranga nipin e viktimës, Ruzhdi Rustemi. Një shkëndijë që policia të arrinte deri tek emri i të dyshuarit për vrasje, i pandehuri Bardhyl Rustemi, qe edhe deklarimi i Ardian Majnishtës. Pas një kohe të gjatë ngujimi, Ardian Majnishta arrin të marrë leje për tri ditë nga gjakësi, me qëllim që të japë dëshminë e tij para gjykatës.

Dëshmia

"Jam i ngujuar. Që prej vitit 1992, kam qenë në shënjestër të gjakësit, familjes Rustemi. E pranoj që kam goditur me thikë njeriun e tyre, por atë ditë, në zënkë e sipër, mund të kisha vdekur edhe unë. Unë nuk i kërkoj falje familjes së Ruzhdi Rustemit, por dua që të pajtohemi dhe të mos marrim jetë të tjera. I kam dërguar edhe njerëz në shtëpi për t'u pajtuar, por nuk kanë pranuar". Kështu ka deklaruar dje para gjykatës i ngujuari Ardian Majnishta, thirrur për të zbardhur ngjarjen e vrasjes së vallait të tij. "Për të ardhur deri këtu më është dashur të marr leje te kryetari i Pajtimit të Gjaqeve. Familja Rustemi më dha besën vetëm për tri ditë. Pas dy ditësh, unë duhet të mbyllem brenda, me qëllim që t'i ruhem gjakësit. Unë kam të drejtën të lëviz vetëm brenda lagjes sime. Në rast se dal në rrugë të tjera, apo edhe në qytet, do të vritem. Kështu më kanë thënë".

Megjithëse është i ngujuar që prej 1992-shit dhe i ndjekur nga gjakësi Ardian Majnishta, para gjykatës u mundua të mbrojë pozicionin e të pandehurit. Bardhyl Rustemi akuzohet për vrasjen e vëllait të tij, Lec Majnishta. Ardiani tha dje se nuk ka arritur të mësojë se kush ishte vrasësi, pasi ka qenë jashtë vendit dhe ka ardhur tri ditë pasi është lajmëruar. Për Rustemin, dëshmitari u shpreh se nuk mund ta akuzojë, ndërkohë që ka qenë larg familjes. Por dëshmia e Ardian Majnishtës e ka irrituar prokurorin e çështjes. Prokurori tha dje se në policinë gjyqësore, dëshmitari është shprehur se ka qenë me vëllain dy orë para se ai të vritej dhe se e dinte që vrasjen e ka bërë Bardhyl Rustemi. Përfaqësuesi i akuzës e quajti të ndryshuar dëshminë e dhënë nga Majnishta dhe i kërkoi gjykatës arrestimin e tij në sallën e gjyqit. Por nga ana e trupit gjykues, u tha se nuk është në kompetencën e gjykatës të bëjë arrestimin e dëshmitarëve dhe se është Prokuroria ajo që i bën veprimet më parë. Dëshmitari u mbajt për disa orë në mjediset e gjykatës dhe më pas u la i lirë.

Bardhyl Rustemi është 21 vjeç. Ai një vit më parë ka marrë hakun e xhaxhait të tij, vrarë në vitin 1992. Vrasja ndodhi në mes të Shkodrës. Pas kryerjes së krimit, i pandehuri largohet jashtë vendit, pa mundur të bjerë në duart e policisë. Është larguar jashtë vendit dhe vetëm pak kohë më parë, arrestimi i tij u bë i mundur në Holandë. Ekstradohet dhe tashmë ndodhet në gjykatë, duke iu nënshtruar hetimit gjyqësor për veprat penale të vrasjes me paramendim për gjakmarrje në bashkëpunim dhe plagosjes së lehtë. Në momentin kur arma është shkrehur mbi trupin e Lec Majnishtës, plumbat kanë kapur edhe një prej kalimtarëve të rastit. Sipas akuzës, ka qenë shtetasi Fatos Selmani, i cili do të paraqitet si dëshmitar.Vetë i pandehuri ka kundërshtuar akuzën e ngritur. Ai është shprehur se nuk ka dijeni për çfarë vrasje bëhet fjalë. Por prokurori i çështjes tha se ndaj të pandehurit ekzistojnë prova të pakundërshtueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›