Vrau kushëririn, dënohet me 21 vjet burg
28/10/2004 TIRANË - Dënohet me 21 vjet burg i pandehuri Agim Tuda, akuzuar për veprën penale të vrasjes me paramendim për hakmarrje. Mban mbi shpinë akuzën e vrasjes, parashikuar nga neni 78 /2 dhe armëmbajtje pa leje, parashikuar nga neni 278/2. Është nga Durrësi. Agim Tuda, në 23 shkurt 2004, vrau kushëririn e tij Emiliano Tuda. Shkak për kryerjen e kësaj vepre penale u bë plagosja e vëllait të pandehurit, Mersin Tuda. Sipas gjykatës, në datë 16 shkurt 2004, Mersin Tuda, vëllai i të pandehurit, grindet përpara shtëpisë së tij me Emiliano Tudën. Grindja ishte e rëndë dhe në spital përfundoi Mersin Tuda. Pas disa ditësh ai del nga spitali, ndërsa për plagosjen e tij policia vë në pranga Bernard Tudën. Nga të afërmit i pandehuri mëson se vrasjen nuk e bëri Bernardi, por Emiliano dhe se Bernardi u dorëzua në polici dhe mori përsipër krimin, sepse ishte i mitur dhe përfitonte gjysmën e dënimit. I gjendur në këto rrethana, i pandehuri Agim Tuda vendos të hakmerret. Tetë ditë pas plagosjes së vëllait, ai merr pistoletën që e mbante pa laje dhe niset për te lokali i shtetasit Agim Xhiu. Konsumon pak alkool dhe sapo sheh që Emiliano Tuda parkon furgonin, ngrihet i qetë. Mbush pistoletën dhe pa thënë asnjë fjalë ia drejton në kraharor kushëririt. E qëllon një herë dhe kur matet të qëllojë përsëri, arma bllokohet. Largohet nga vendi i ngjarjes për në shtëpi dhe më pas i qetë dorëzohet në polici. I pandehuri, sipas gjykatës, e ka kryer vrasjen me vendosmëri. Ai është menduar më parë, i qetë ka shkuar te lokai dhe po i qetë e ka goditur në kraharor. Për të pandehurin u aplikua edhe gjykimi i shkurtuar. Përfundimisht në bazë të nenit 55 KP, i pandehuri do të vuaj 14 vite heqje lirie në një prej burgjeve të sigurisë së lartë.