E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toska "punëson" spiunë me shpërblim dhe detyrim

28/10/2004  

Pak agjentë të jashtëm "spiunë", informatorë, ndihmës me dhe pa hirë, kjo është formula që sjell të dhëna të reja në punën e policisë pas urdhërit tre muaj e gjysmë më parë të ministrit Toska. Urdhri nr.1890/1 datë 08.06.2004 i ministrit të Rendit Publik, për disa shtesa e ndryshime në Udhëzimin nr.1890 datë 01.08.2003 “Për burimet e informacionit policor”, siç edhe përcaktohet, synon "ndihmesën" në procedurat e punës me burimet e informacionit, e konkretisht me "informatorin", për natyrën e rëndësinë që ka. “Informatori me marrëveshje” dhe “informatori me shpërblim”, janë dy kategori të reja, që shtohen në burimet e informacionit.

“Informatorin me marrëveshje”

Sipas Urdhrit, personi ofron bashkëpunim me Policinë Kriminale për dhënien e informacionit, në lidhje me veprimtarinë kriminale, kundrejt një marrëveshje me pagesë dhe me kohë të caktuar. Urdhri, nuk përcakton kriteret që duhet të kihen parasysh për rekrutimin e këtij lloj INFORMATORI, masën e pagesës, burimin e financimit, “borderonë” që do të krijohet, nëse pagesa do të jepet paradhënie (me pagesë bazë), në bazë të numrit të informacioneve (pagesë me normë) apo mbi bazën e vlerës së të dhënave që do të japë.

Rekrutimi

Minimalisht, një informator i tillë, do të trajtohet me një pagë sa ajo minimale në strukturat e policisë, pra rreth 30 mijë lekë të reja. Të gjithë specialistëve të Policisë Kriminale, që në organikë janë 500-600 oficerë, urdhri u kërkon që në përmbushje të detyrave funksionale, të krijojnë rrjetin e informatorëve, që nënkupton më shumë se një informator. Sikur të gjithë specialistët të rekrutojnë nga një “informator me marrëveshje”, atëherë buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme do të rëndohet, qoftë edhe një muaj të vetëm, me 500-600 funksione policore, në nivelin e përzgjedhur. Nëse specialistët do të rekrutojnë nga 2, 3 e më tepër “informatorë me marrëveshje”, Drejtoria Qendrore e Policisë Kriminale do të duhet të paguaj për informatorët dyfishin, trefishin, shumfishin e fondit të pagave që paguan për specialistët e saj, me arsim të lartë.

Dyshimet

Dyshohet më së shumti se krimi i organizuar në Shqipëri, ka arritur të korruptojë deri drejtues të lartë të policisë, që marrin një pagë neto, disa herë më të lartë se sa parashikimi më optimist, pa folur për qindra oficerë dhe policë të tjerë, për pagën e këtyre informatorëve. Tjetër risi e këtij Urdhri, është sanksionimi i detyrimit të personave që kanë kryer një vepër penale për të bashkëpunuar me policinë në luftë kundër kriminalitetit, në këmbim të mosdënimit të tyre.

Klasifikimi

Urdhri Toska thotë: “Informator me detyrim”, kuptohen ato persona, të cilët kanë kryer një vepër penale, dhe i kërkohet apo ai vetë merr përsipër të ofrojë një informacion, për zbulimin e një veprimtarie kriminale”. “…ka kryer një vepër penale…”, do të thotë çfarëdo vepre penale, pra edhe vrasje, përdhunime, trafik droge etj., dhe mund të rendisim pafundësisht vepra penale, të parashikuara si të tilla nga Kodi Penal.

Urdhri në fjalë i ngarkon Prokurorit të Përgjithshëm detyrën për të dhënë miratimin përfundimtar, për rekrutimin e personit që ka kryer veprën penale. Prokurori i Përgjithshëm duhet të japë miratimin, jo vetëm për informatorët me detyrim, por edhe për ata me marrëveshje dhe shpërblim! Nëse personi ka kryer një vepër penale, atëherë Policia Gjyqësore në sajë të punës së saj hetimore, ka grumbulluar prova që vërtetojnë, sipas saj, se personi ka kryer veprën për të cilën ai akuzohet. Por në vend që të plotësojnë detyrimin ligjor për përpilimin e relacionit shpjegues për faktin dhe provat, si dhe njohjen e prokurorit të çështjes me to, në mënyrë që ai të ushtrojë kompetencat e tij, për pushimin e çështjes apo dërgimin e saj në gjykatë, e anashkalon atë dhe i drejtohet Prokurorit të Përgjithshëm, për të ushtruar “ngrirjen” e procedimit penal në ngarkim të autorit, i cili do të bëhet informator i policisë!

Ligji

Ligji njeh të drejtën e Prokurorit, si autoriteti që ushtron ndjekjen penale, që në varësi të fakteve dhe rrethanave të vendosë mosfillimin apo pushimin e procedimit penal ndaj një personi të caktuar, duke parashikuar edhe rastet kur kjo është e mundur. Por, në asnjë rast nuk parashikohet si shkak ligjor për mosfillimin ose pezullimin e procesit penal, dëshira e personit për të bashkëpunuar me policinë, apo mosdëshira e tij si shkak për rifillimin e procedimit, e për më tepër me urdhër të ministrit të Rendit Publik. Në çdo rast, është Gjykata, ajo që e bën këtë. Neni 28 i Kodit Penal, ndër të tjera parashikon se: “…Gjykata, kur çmon se roli i pjesëtarit të penduar të bandës së armatosur dhe të organizatës kriminale nuk është kryesor, kur veprat e kryera prej tij nuk janë me rrezikshmëri të theksuar dhe kur ndihma e dhënë për zbulimin e veprimtarisë dhe bashkëpunëtorëve të bandës apo organizatës kriminale është e rëndësishme, mund ta përjashtojë atë nga dënimi”.

Informacioni

Detyrë kryesore e Policisë Kriminale është marrja dijeni për veprat penale, parandalimi i pasojës si dhe kryerja e veprimeve hetimore, të plota e të gjithanëshme, kryesisht apo me urdhërim a delegim, për zbulimin e autorëve dhe për sigurimin e provave për veprimtarinë e tyre kriminale. Marrja dijeni për veprën penale, që mund të përfshijë rrethana para, gjatë apo pas kryerjes së saj, shërben si bazë për veprimet e mëtejshme hetimore, që çojnë në gjetjen e provave për vërtetimin e fajësisë së autorëve, përkatës.

Një nga burimet më të rëndësishme të këtij informacioni, është "informatori i fshehtë" që sjell informacion të vlefshëm për shkak të lidhjeve të afërta që ka me mjedisin kriminal. Specifikat e punës me një burim të tillë, si dhe vlera e informacionit të marrë prej tij, imponojnë një rregullim më të detajuar të procedurës së rekrutimit, dokumentimit dhe punës me këtë burim informacioni, në raport me burimet e tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›