Renditja FIFA: Shqiperia ngjitet ne vendin e 67-te

Shqipëria vetëm ngjitet në botën e futbollit, duke lënë pas jo vetëm tre kundërshtarët që renditen të fundit në Grupin G eliminator (Bjellorusi, Slloveni, Luksemburg), por dhe emra të mëdhenj si Belgjika dhe Austria. Nëse në muajin korrik Kombëtarja kuqezi u ngjit në renditjen botërore të FIFA-s nga vendi i 78 në të 69—in, tashmë në klasifikimin e muajit korrik 2007 jemi ngjitur edhe dy vende të tjera. Në të 67-in. Jo pak për një ekip modest si ky i yni, por që gjithsesi ia vlen të evidentohet në mesin e artë europian, kur ndodhemi në zonën UEFA në vendin e 31-të nga 53 federatat e anëtarësuara në qeverinë europiane të futbollit. "Objektivi im është ta coj Shqipërinë në vendin e 60-të në fund të këtyre eliminatoreve", - tha Baric në Durrës, gjatë konferencës për shtyp përpara ndeshjes me Luksemburgut në "Qemal Stafa". Një objektiv që është në rrugën e realizimit. Renditja më e mirë e Shqipërisë në epokën Baric me sistemin e ri të llogaritjes është ajo e muajit gusht 2006, kur ndodheshim në vendin e 62. Dy fitoret rresht me Luksemburgun, ku ajo në transfertë ishte dhe e treta historike për Kombëtaren, vendi i katërt në grup me 9 pikë të grumbulluara në shtatë takime, u vlerësuan edhe në renditjen statistikore të përmuajshme të FIFA-s, ku klasifikohen pozicionet e 205 vendeve të të gjithë botës. Shqipëria me vendin 67 në gjysmën e vitit kur në janar e nisëm nga vendi 86, duke "ngjitur" 19 vende në garën e madhe botërore, megjithëse kombëtarja jonë nuk ka marrë asnjë bonus pikësh prej ekspertëve të statistikave të FIFA-s dhe tashmë edhe në muajin korrik 2007 ndodhemi në kuotën e 454 pikëve. Shqipëria ndodhet menjëherë pas Hungarisë që ka vetëm pesë pikë më shumë se ne (vendi 65, 456 pikë). Pas vendit tonë në renditjen botërore ndodhet Bolivia me 448 pikë (vendi i 68).
Mesi i artë
Nëse në renditjen botërore të FIFA-s ndodhemi në vendin e 67, në atë special të zonës UEFA ndodhemi në mesin e artë, në të 31-in, nga 53 federata të listuara në UEFA. Shqipëria lë pas ekipe me emër dhe me histori shumë herë më të madhe se kuqezinjtë, skuadra që kanë marrë pjesë në finalet e Kampionateve Botërore dhe Europiane. Ja dhe vendet që ka lënë pas vendi ynë: Belgjika (e 32-ta), Bjellorusia, Uellsi, Lituani, Armenia, Qipro, Austria, Sllovenia, Gjeorgjia, Moldavia, Azerbaixhani, Islanda, Letonia, Kazakistani, Malta, Estonia, Lihteshtejn, Andorra, Luksemburgu, Ishujt Faroe, San Marino dhe Mali i Zi (i 53-ti dhe njëherësh i fundit).
Renditjet e Shqipërisë
Korrik 2007
Në FIFA
Vendi 67
Në UEFA
Vendi 32
Renditjet historike
Vendi më i mirë
Gusht 2006, vendi 62
Vendi më i keq
Gusht 1997, vendi 127
Renditjet e vitit 2007
* Korrik, vendi 67
* Qershor, vendi 69
* Maj, vendi i 78
* Prill, vendi 77
* Mars, vendi 88
* Shkurt, vendi 87
* Janar, vendi 86
Holanda në krye të Grupit G
Nga ekipet e tjera në grupin tonë (G) eliminator për Euro 2008, Holanda ngjiti tre vende dhe tani ndodhet në të gjashtin (1195 pikë). Rumania zbriti një vend dhe tani ndodhet në vendin e 13-të (1068 pikë). Bullgaria, që renditet e dyta në Grupin G, është ngjitur tre pozicione dhe tani ndodhet në vendin e 30 (832 pikë). Tre kundërshtarët më të dobët të grupir tonë, Bjellorusia, Sllovenia dhe Luksemburgu, janë poshtë Shqipërisë edhe në renditjen e FIFA-s. Bjellorusia është ngjitur një vend dhe tani ndodhet në vendin e 71-të, por sidoqoftë katër pozicione më pak se Shqipëria. Sllovenia, gjithashtu është ngjitur një vend, nga 89 në muajin qershor në të 88-in në muajin korrik. Luksemburgu nuk ka lëvizur nga vendi i 174-t me 41 pikë. Ndeshja e ardhshme e Shqipërisë është pikërisht me Holandën që kryeson renditjen e grupit tonë në FIFA dhe në zonën e UEFA-s.