E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova pa kufij të përcaktuar, probleme për caktimin me Serbinë



Blerina Olldashi
Një vit pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ende nuk ka të shënuara qartë kufijtë me shtetet fqinje. Zyrtarët kosovarë pohojnë se po punohet në këtë drejtim, ndërsa autoritetet e rendit konsiderojnë se mospërcaktimi i vijës kufitare paraqet problem edhe për banorët. Përfaqësuesit e institucioneve kosovare thonë se janë në kontakt me shtetet fqinje, përveç Serbisë, për të punuar në lidhje me këtë çështje. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, pohon se autoritetet janë në përfundim të përcaktimit të vijave përfundimtare kufitare me Maqedoninë, ndërsa me Malin e Zi, Krasniqi shpreh bindjen se bisedimet do të fillojnë së shpejti. Por, problem në këtë drejtim, sipas tij, do të paraqesë kufiri me Serbinë. “Kosova i ka kufijtë e vet, por këta kufij duhet të ratifikohen, duhet të rishikohen dhe të behët një precizim i kësaj hapësire të Kosovës. Ndoshta kjo mund të jetë një nga arsyet pse Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së”.
Edhe përfaqësuesit e policisë kufitare të Kosovës, konsiderojnë se problemet më të mëdha në demarkacionin e kufijve të Kosovës me shtetet që e rrethojnë, do të jenë me Serbinë. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i policisë kufitare, Behar Selimi, thotë se Kosova me Serbinë ka më shumë se 380 kilometra të vijës kufitare, që ende nuk janë përcaktuar. Kjo gjë, sipas tij, paraqet problem si për policinë, ashtu dhe për banorët e atyre zonave. “Me Republikën e Serbisë sigurisht që do të jetë një proces më i gjatë për shumë arsye, hiq ato politike, ka edhe arsye teknike. Me Republikën e Serbisë kemi 380 kilometra e 38 metra vijë kufitare, që është vija më e gjatë kufitare që Kosova ka me shtetet fqinje. Në këtë vijë kufitare kemi fshatra që flasin shqip. Pozita gjeografike dhe relievi janë po ashtu të vështira dhe të gjitha këto në aspektin teknik të vijës kufitare do të shkaktojnë telashe”,- deklaroi Selimi. Ndërkaq, procesi i demarkacionit me Maqedoninë ende nuk ka përfunduar. Sipas Behar Selimit, i cili është edhe kryetar i Grupit për demarkacion, ka mbetur edhe rreth 2 për qind e vijës kufitare pa u përcaktuar.
“Me Republikën e Shqipërisë veç ekziston një vijë kufitare, madje edhe fizikisht e shënuar. Mund të jetë ndonjë përtëritje aty këtu e ndonjë guri nëse do të kishte kuptim përtëritja kur jemi në drejtim të procesit të integrimit në BE”. Megjithatë, menaxhimi i kufijve të Kosovës nuk është tërësisht nën kontroll të Policisë Kufitare të Kosovës, thonë autoritetet e rendit. Policia e Kosovës ende nuk ka tërësisht nën kontroll menaxhimin e kufijve të vendit, pasi 753 kilometra të vijës kufitare të Republikës së Kosovës mbikëqyren nga forcat paqeruajtëse të KFOR-it.

Zbulohen dy varre masive në Bosnjë

Ushtarët holandezë kanë zbuluar ditët e fundit dy varre masive në zonën e ish-bazës së tyre ushtarake. Lajmi u bë i ditur nga agjencia e lajmeve DPA e cila bazohet në raportet e mediave të Bosnjës. Sipas këtyre raporteve, ushtarët holandezë kanë zhvarrosur, javën e kaluar, gjashtë civilë dhe dy foshnje nga këto varreza. Civilët e zhvarrosur thuhet se kanë vdekur për shkaqe natyrore ose kanë bërë vetvrasje. Raportet bëjnë të ditur se informacionet për ekzistimin e këtyre varrezave i janë dorëzuar Organizatës për viktimat e Srebrenicës nga batalioni holandez në fillim të muajit korrik. Më 11 qershor 1995 Srebrenica ishte pushtuar nga forcat serbe. Ushtarët holandezë, atë kohë, lejuan forcat serbe të largojnë të gjithë burrat nga kampi. Si pasojë e kësaj, rreth 8000 burra boshnjakë u vranë dhe më shumë se 30000 fëmijë, burra dhe gra u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

3 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›