E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rëndohet gjendja e studentëve në Kamëz

TIRANE- Gjëndja shëndetësore e studentëve grevistë në Kamëz është rënduar. 15 studentë të Universitetit Bujqësor të Kamzës kanë tre ditë që kanë hyrë në grevë urie, në shenjë proteste për vendosjen e mesatares, gjë që iu heq atyre të drejtën për të studiuar në nivelin e dytë DND. Njëri prej studentëve është dërguar në spitali pasditen e sotme pasi gjëndja e tij ishte rënduar. Studentët e tjerë grevistë shprehen se për ta nuk është interesuar askush. Ata pohojnë se nuk kanë në dispozicion asnjë ambulancë, për të shoqëruar ndonjërin prej tyre në spital.

Studentët e Universitetit Bujqësor të Kamzës nisën të protestojnë para tre javësh, përpara Ministrisë së Arsimit. Ata kërkonin të drejtën për të vazhduar studimet në nivelin e dytë DND, por një urdhër i ri i Ministrisë së Arsimit, ua mohonte këtë të drejtë pasi kriter ishte vënë edhe mesatarja e tre viteve të para të studimit. Studentët nga ana e tyre, pohojnë se nuk janë informuar për vendosjen e një mesatareje që në fillim të nivelit të parë të studimeve, por kjo gjë ndodh vetëm në përfundim të tyre, duke i gjetuar ata të papërgatitur. Ministra e Arsimit, Rektorati apo ndonjë instancë tjetër përgjegjëse nuk iu ka kthyer asnjë përgjigje studentëve për tre javë. Kjo i detyroi 15 prej tyre, të hynë me forcë ditën e mërkurë në ambientet e fakultetit, nga ku nisën edhe grevën e urisë. Po sot, shumë studentë të tjerë, në mbështetje të shokëve të tyre, kanë protestuar përsëri përpara Ministrisë së Arsimit, duke djegur në mënyrë simbolike edhe diplomën e 3 viteve të para të studimit.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›