Rëndohet gjëndja shëndetësore e tre minatorëve grevistë

Rëndohet gjendja e tre minatorëve të minierës së Bulqizës të cilët prej 9-të ditësh kanë hyrë në grevë urie në 1400 metra nëntokë.
Sipas informacioneve më të fundit gjendja e tre minatorëve grevistë është përkeqësuar së tepërmi por ata refuzojnë ta lënë grevën e urisë.
15 minatorët grevistë prej ditës së djeshme kanë ndërprerë komunikimin me sipërfaqen ndërsa kanë refuzuar çdo ndihmë mjekësore.
Në një prononcim për “Ora News” kreu i konfederatës së sindikatës së minatorëve Kol Nikolla ka deklaruar se situata brenda minierës po agravohet.
“Presim konfirmime nga kompania ACR për t`u ulur në tryezë dhe të arijmë një marrëveshje për shpëtimin e 15 minatorëve. Situata është mjaft e rëndë. Ata e kanë të vështirë të flasin ndërsa ka filluar paraliza” theksoi NIkolla.
Ai gjithashtu theksoi se parimisht janë pranuar të gjitha kërkesat e minatorëve por ende nuk ka pasur një ballafaqim me minatorët dhe firmës ACR për të arritur një marrëveshje.
Në kërkesat e minatorëve përfshihet rritja e pagave në masën 40 për qind, largimi i drejtorit të deritanishëm të minierës së Bulqizës, përmirësimi i kushteve të sigurisë në punë si dhe ulja e moshës së pensionit për minatorët.