Kompromis apo njohje?
Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, e arritur javën e kaluar në Bruksel, mes delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë, ka ndarë në qëndrime Kryeministrin Hashim Thaçi dhe Kryeparlamentarin Jakup Krasniqi.
Kreu i ekzekutivit në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të martën ka deklaruar se marrëveshjet për Menaxhimin e Integruar të Kufirit arrihen vetëm ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe sovrane.
Pikërisht për këtë, kjo marrëveshje, sipas Thaçit, është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Me këtë marrëveshje është vënë ligjshmëria e plotë dhe sundimi i ligjit edhe në kufirin verior të Republikës së Kosovës. Por në të njëjtën kohë me këtë marrëveshje është edhe një njohje në një kuptim apo kuptimin tjetër edhe ‘de jure’ të Serbisë për Republikën e Kosovës, pra kufijve nga Serbia në raport me kufijtë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Pavarësisht insistimit të Thaçit se Serbia ka njohur kufijtë e Kosovës, në tekstin e marrëveshjes, të publikuar tashmë nga BE-ja, potencohet se dy palët kanë qëndrime të ndryshme rreth kufirit.
Kosova e konsiderona atë kufi shtetëror, derisa Serbia vijë administrative.
Sido që të jetë, Kryeministri ka elaboruar pozitivisht për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.
“Menaxhimi i integruar i kufijve si model europian garanton kalim të shpejtë dhe të lehtë të njerëzve dhe mallrave, por njëkohësisht siguron që autoritetet përkatëse të Republikës së Kosovës të luftojnë dhe parandalojnë kontrabandën, trafikimin dhe krimin e organizuar që kishte lulëzuar veçanërisht në Veri në 12 vitet e kaluara”, ka thënë ai.
Më pas, Kryeministri ka folur edhe për çështjen e simboleve.
Sipas tij, simbolet shtetërore të Kosovës do të jenë të vendosura kudo, si në Merdar, ashtu edhe në pikën 1 dhe 31, pavarësisht se një gjë e tillë, sipas marrëveshjes, nuk do të ndodhë në objektet ku do të jenë të vendosur zyrtarët kosovarë dhe serbë.
Kreu i Qeverisë, ndërkaq, ka kërkuar që marrëveshja të implementohet.
“Ajo çka kërkohet tani, edhe nga dëshmitarët dhe garantuesit e marrëveshjes ndërshtetërore, është përcjellja nga afër e fillimit të implementimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, në mënyrë që Serbia mos t’i bishtnojë kësaj marrëveshjeje, sikur herëve të tjera, dhe diçka e tillë do të kërkohet edhe ditëve të ardhshme në Bruksel, por edhe në SHBA”, është shprehur Thaçi.
Por Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka dhënë vlerësime më pak optimiste rreth marrëveshjes.
Ai ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka lënë hapësirë për triumfalizmin e asnjërës palë.
Krasniqi ka thënë se pret që gjithçka lidhur me këtë të bëhet më e qartë, pas nënshkrimit të protokollit teknik mes palëve.
“Konkluzionet si të tilla nuk lënë hapësirë për triumfalizëm të asnjërës palë, për faktin se konkluzionet janë një kompromis që ka për qëllim vazhdimin e dialogut dhe një zgjidhje sa më të qëndrueshme të problemit që ekziston mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, ne konsiderojmë që shumëçka do të sqarohet në të ardhmen në protokollin teknik që do të nënshkruhet mes tri palëve në Bruksel”, ka thënë ai.
Ai ka refuzuar të thotë se Serbia me këtë marrëveshje ka njohur kufirin e Kosovës.
“Në këtë rast do të kërkoja që Qeveria të jetë e vëmendshme gjatë hartimit, sidomos nënshkrimit të protokollit teknik, i cili do të sqarojë se si do të realizohen këto konkluzione ose këto marrëveshje, si po quhet”, ka thënë ai.
Por Krasniqi tha se Kosova pohon se vendi nuk ka lëshuar pe me këto konkluzion, pasi sipas tij, konkluzionet janë të dakorduara mbi parimet e Traktatit të Lisbonës.