Në Korçë Rama mbledh veç 100 veta, paradhënie se si do dështojë me 20 nëntor
Kreu i PS-së, megjithë mercenarët që thirri nga Erseka mundi të mbledhë poshtë pemëve të sheshit qendror të Korçës jo më shumë se 100 veta. Kreu i deputetëve të qarkut Ben Blushi si dhe kryetari i bashkisë Niko Peleshi bojkotuan vakinë elektorale të Shqipërisë Juglindore. Dështimi, një paradhënie e shkatërrimit politik që do të regjistrohet pas 20 nëntorit, kur kryeqyteti do të konfirmojë braktisjen për alternativën politike të bojkotit e të përplasjeve antievropiane Ka qenë më shumë se dështim protesta e partive opozitare nën regjinë e Edi Ramës dje në Korçë, kur kësaj proteste nuk i janë bashkëngjitur, drejtuesit e pushtetit vendor si dhe drejtuesit lokalë të PS-së. Ndërsa Edi Rama me taborin e tij, ka mbajtur frymën në Korçë, protesta për gjetjen e preteksteve për hapjen dhe rinumërimin e kutive të votimit është bojkotuar nga Ben Blushi, kreu i listës së kandidatëve për deputetë të PS-s, në këtë qark, si dhe nga Niko Peleshi, kryetari i bashkisë së këtij qyteti. Strategjia e Pandeli Majkos dhe e kriptokorçarëve të tjerë për të shpërndarë nëpër shesh ata 100 rekrutët e ardhur nga Erseka nuk ka pasur sukses, dhe vetë të ardhurit nga Tirana kanë turfulluar në përfundim të mitingut, duke kërkuar me të madhe që të mos i bëhej jehonë mitingut-dështim, por thjesht të ripërsëritet se vakia e djeshme e Korçës ishte një stacion drejt 20 nëntorit... Por bathët nuk duken hiç të mira. Bojkoti i krerëve lokalë të pushtetit vendor dhe të PS-së është paradhënia që Edi Rama, mori dje edhe në Korçë, për protestën e paralajmëruar në 20 nëntor në Tiranë. Pas dështimeve në Berat e Shkodër, angazhimit të dështuar kriminal të mbeturinave të bandës së Aldo Bares në Lushnje, mbrëmë në Korçë ka qenë një rekord i zi, rekordi i së vërtetës, rekordi se lëvizja e protestave është futur në një udhë pa krye, për të cilën shqetësimi kryesor nuk është arritja e ambicies politike, por dalja me sa më pak kosto prej saj. Dhe paralelisht me mitingun e dështuar, në një studio televizive, Kastriot Islami bënte një lexim të vetin të “humorit” të socialistëve, teksa deklaronte se “besoj se pas 20 nëntorit, PS do të gjejë një zgjidhje elegante, qoftë edhe me një alibi jointeligjente, që të futet në parlament”. Fiks kjo situatë paradoksale është reflektuar dje në Korçë, teksa Edi Rama ripërsëriste klithjet për dhunëe thyerje të kutive të votimit të 28 qershorit. Dje në Korçë ka qenë një lexim i thjeshtë. Ndihma u dha edhe nga Ben Blushi, kreu i listës së kandidatëve socialistë për deputetë në Qarkun e Korçës, si dhe nga Niko Peleshi, kryebashkiaku socialist ende në detyrë. Protestat e lëvizjet haxhiqamiliste nuk kanë asnjë të ardhme dhe tashmë halli është në portën e Edvinit e të Gramoz Ruçit – u takon atyre të thonë se si do të dalin nga situata jopolitike në të cilën janë futur, pas dështimit masiv në zgjedhjet e fundit të përgjithshme.
...