Rënia ekonomike pasqyrohet te mosrealizimi me 81 milionë dollarë i të ardhurave
Ajo që tha Fondi Monetar Ndërkombëtar në shtator të vitit të kaluar për rënien e potencialit taksapagues të ekonomisë shqiptare për shkak të efekteve të krizës ekonomike është provuar tashmë në mbledhjen e të ardhurave. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se në buxhetin e shtetit për vitin që shkoi pati mosrealizim të ardhurash në masën e 81 milionë dollarëve dhe se kjo kahje ka ardhur duke u bërë më e thekshme në muajin janar të këtij viti. Të dhënat thonë se për janarin mosrealizimi i të ardhurave ka qenë mbi 13 milionë dollarë. Qeveria shqiptare, duke menduar se ekonomia në vend vazhdon të rritet me ritme të larta, ka parashikuar të ardhura të larta edhe për vitin e tashëm, gjë që po dëshmohet jorealiste dhe rrezikon të thellojë deficitin buxhetor të vendit. Të dhëna të Ministrisë së Financave bëjnë me dije se në buxhetin e vitit që kaloi ka pasur realizim të të ardhurave sipas planit deri në tetor dhe se muajt më pas ishin me mosrealizime. Mosrealizimet nuk kanë të bëjnë aspak me punën e administratës së tatimeve dhe kjo është e qartë, por janë thjesht rënie e shitjeve të biznesit. Vitin e shkuar konkretisht të ardhurat tatimore kanë kryesuar mosrealizimin me 70 milionë dollarë. Edhe të ardhurat nga doganat kanë pasur një mosrealizim, por ky ka qenë shumë më i vogël sesa ai i tatimeve. Krahasuar me të ardhurat e vitit 2007, të ardhurat kanë qenë më të larta, por krahasuar me planin e qeverisë ato kanë qenë më të ulëta. Kështu, të ardhurat buxhetore në vitin 2008 arritën në 290 miliardë lekë ose 8.1 miliardë lekë më pak se sa ishte parashikuar në planin vjetor, duke shënuar vetëm rreth 97.3% të planit. Plani nuk u realizua, pavarësisht faktit se qeveria e pati ndryshuar atë jo më herët se 15 dhjetori 2008, duke përdorur një akt normativ. Plani i të ardhurave të buxhetit me buxhetin suplementar, të miratuar në qershor ‘08, qe 303 miliardë lekë. Në muajin nëntor, plani i të ardhurave u realizua vetëm në masën 92.5%, ku të ardhurat nga tatimet u realizuan në masën 82%. Në total, i gjithë deficiti në të ardhura gjatë vitit të kaluar u realizua në dy muajt e fundit, gjë që tregon përkeqësim të menjëhershëm të ekonomisë. Dy ditë më parë, ministri i Financave pohoi tërthorazi se rritja ekonomike e vendit gjatë tremujorit të fundit ishte shumë e ulët. Në rast se do të marrim për të vërtetë faktin që rritja ekonomike për tre tremujorët e parë të vitit të kaluar ka qenë 9,9%, atëherë tremujori i fundit ka pasur rritje shumë të keqe dhe ajo ka qenë zero ose edhe negative.