E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llafazanët

Nga Alexis Papachelas, “Kathimerini”

Politikanët tanë janë bërë qesharakë me gjithë ato intervista që japin.

Njeriu i thjeshtë veç habitet se ku e gjejnë ata kohën të flasin për kaq shumë gazeta, kanale televizive dhe radiostacione; padyshim që ata janë duke harxhuar më shumë kohë dhe energji për këto dalje të tyre se sa për të ekzaminuar problemet e sektorëve të tyre respektivë. Megjithatë, më e rëndësishmja është se, pavarësisht gjithë këtyre bisedave faktikisht ata nuk thonë asgjë. Në rastet më të mira, ata lajmërojnë ndonjë projekt të ri, për të cilin nuk janë të sigurt, nëse do ta realizojnë apo jo. Disa kanë arritur të japin dy ose tri intervista në ditë, ndërsa disa janë bërë ekspertë të mohojnë variantin e botuar të fjalëve të tyre, sapo ato dalin nga shtypshkronja.

Një tjetër çështje është se këto intervista bëhen me shkrim dhe jo në biseda ballë për ballë - diçka e rrallë në vendet e tjera të Evropës. Intervistat kanë nevojë të bëhen direkt, pa pyetje të parapërgatitura dhe me mundësinë e gazetarit që të kërkojë në një pikë apo të kërkojë përgjigje për një pyetje të caktuar.

Politikanë tanë janë përkëdhelur, kur bie fjala për intervistat. Autori i këtij shkrimi mban mend që njëherë na erdhi një faks me pyetjet dhe përgjigjet të bëra nga një ministër. “Intervista” nuk u botua kurrë dhe ministri u la të vriste mendjet se cilat ishin forcat e errëta që kishin ndërhyrë për mosbotimin.

Ne në “Kathimerini” bëjmë luftë me çështjet etike lidhur me intervistat. Ne rrallë botojmë intervista, me përjashtim të rasteve kur ato janë interesante dhe kurrë para një fushate elektorale (me përjashtim të kryetarëve të partive), sepse ato kanë prirjen të jenë tejet të mërzitshme.

Ne kemi model shtypin e huaj dhe përpiqemi të botojmë intervista, vetëm kur një politikan ka diçka të re dhe interesante për t’iu thënë lexuesve tanë dhe jo kur ai ose ajo duan thjesht të harxhojnë sa më shumë letër e bojë të jetë e mundur.

Është e qartë se një politikan që nuk është i interesuar të bëjë asgjë në ministrinë e tij do të falet te intervistat dhe “dialogu” për të bërë bla, bla, bla, gjë që shumë rrallë prodhon rezultate reale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›