Rënie drastike e dërgesave të emigrantëve në Kosovë, arrijnë në 5-8%
Dërgesat e parave të emigrantëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit të tyre, në gjysmën e parë të këtij viti, në Kosovë kanë shënuar rënie nga 5 - 8 për qind. Kjo rënie, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, do të ketë tronditje në stabilitetin social të kosovarëve. Ulja e investimeve nga ana e emigrantëve për shkak të reduktimit të të ardhurave të tyre nga kriza financiare që po kalojnë vendet e Bashkimit Europian ku ata jetojnë dhe punojnë, sipas autoriteteve kosovare do të godasë më së shumti familjet e emigrantëve kosovarë, por duke mos anashkaluar këtu edhe ekonominë e vendit.
Në bazë të analizave të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e bën kontrollimin e arritjes së dërgesave të parave nga jashtë, është vërejtur një rënie e këtyre dërgesave, krahasuar me vitet paraprake. Drejtori i Drejtoratit për Marrëdhënie me Jashtë në Bankën Qendrore të Kosovës, Bujar Abdullahu, e shpjegon këtë dukuri. “Në amplitudën e saj kanë një ngritje të vazhdueshme. Kështu, si shifër mund të përmendim vitin 2007, janë diku 517 milionë, më pas në vitin 2008 ka pasur një ngritje në 535 milionë, ndërsa në gjysmë e parë të vitit 2009 ka pasur një ulje, e kjo thuhet se është për shkak të krizës ekonomike globale. Kjo ulje, nëse shndërrohet në përqindje, është 5 deri në 8 për qind”, sqaron ai.
Ekzistojnë disa forma të depërtimit të dërgesave të parave në Kosovë. Forma e direkte e depërtimit të këtyre dërgesave përmes bankave dhe institucioneve të certifikuara; forma e dytë është përmes kanaleve tjera indirekte, që janë evidente në Kosovë; dhe forma e tretë është ajo informale, e cila arrin në Kosovë në bazë të raporteve farefisnore, pra udhëtimit të kosovarëve brenda dhe jashtë vendit. Kosova është ndër vendet më të prekura nga kriza ekonomike globale. Ashtu si edhe Shqipëria, një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike e luajnë remitancat.
10 Shtator 2009