Përmbyset autobusi në Bulqizë, shpëtojnë pasagjerët
BULQIZË – Kanë shpëtuar për mrekulli 16 pasagjerë të linjës Durrës-Peshkopi pas aksidentit që ka pësuar autobusi me të cilin udhëtonin. Burime zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë të Qarkut Dibër sqaruan se rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, në dalje të qytetit të Bulqizës, autobusi me targa DR 7869 D ka dalë nga rruga në momentin kur një fuoristradë me targa të huaja e ka parakaluar gabimisht atë. Mjeti ka bërë disa manovrime, duke u ndalur rrëzë një kodre dhe fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz. Burime të policisë saktësuan se: “Autobusi që kryente çdo ditë rrugëtimin nga Durrësi në Peshkopi e kthim, ka dalë nga rruga në afërsi të Bulqizës, duke u përmbysur me 16 pasagjerë brenda”. Po sipas policisë traseja e rrugës ku ndodhi ngjarja ishte e ngushtë dhe me sa duket shoferët nuk e kanë nuhatur një gjë të tillë, duke vënë në rrezik jetën e udhëtarëve. Drejtuesi i autobusit ka devijuar për të shmangur përplasjen me fuoristradën, por ka dalë nga rruga. Nga ky aksident ka pasur të plagosur lehtë, por pa rrezik për jetën. Të plagosurit janë dërguar shpejt në spitalin e qytetit dhe u është dhënë ndihma e parë. Fatmirësisht ata nuk kanë pasur dëmtime serioze dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Policia njoftoi se ka shoqëruar drejtuesin e fuoristradës, N. Gjini, i cili është marrë në pyetje rreth rrethanave të ngjarjes. Ditë më parë, po në Bulqizë, në fshatin Fushë Bulqizë një furgon me pasagjerë përfundoi në greminë, ndërkohë shoferi i mjetit nuk dispononte as leje drejtimi. h.p