E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e varfër si Uganda dhe Eritrea do të studiohet nga ndërkombëtarët

Shqipëria e varfër si Uganda dhe Eritrea do të studiohet nga ndërkombëtarët

Një institut i njohur norvegjez, i quajtur “Statistics Norway”, është pajtuar nga Banka Botërore, FMN-ja dhe OKB-ja për të monitoruar nivelet dhe vijueshmërinë e varfërisë dhe skamjes në Shqipëri, Ugandë, Moldavi dhe në Eritre. Përveç Moldavisë dhe Shqipërisë, dy vendet e tjera janë afrikane, me një skamje të spikatur. Sipas agjencisë italiane informative “ASCA”, firma norvegjeze ka nisur instalimin e disa programeve kompjuterike statistikore në këto katër vende, ndër të cilat edhe Shqipëria, ndërsa kjo kompani është në tratativa edhe me kompanitë e vendeve të tjera që konsiderohen të varfra. Nga vendet europiane kërkesa ka qenë vetëm për Shqipërinë dhe Moldavinë (të dyja e kanë pranuar menjëherë), ndërsa kompania norvegjeze ka dërguar kërkesë dhe në një numër të madh vendesh aziatike dhe afrikane, një pjesë e të cilave ende nuk ka dhënë dritën jeshile për këtë studim statistikor. Përfshirja e Shqipërisë në këtë projekt si “kavie eksperimentale” mbi studimin statistikor të skamjes duket se është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i opinionit të strukturave financiare globale mbi Shqipërinë, duke e konsideruar një vend ku varfëria gjendet gjithkund.
Studimet
Vetëm pak kohë më parë u prezantua një studimi i përbashkët i Bankës Botërore, PNUD-it dhe Institutit të Statistikave, ku zonat malore rezultojnë më të varfrat e Shqipërisë. Varfëria në zonat malore, nga 25,6 për qind më 2005-n, ka arritur në 26,6 për qind më 2008-n. Zonat qendrore kanë pasur uljen më të madhe të nivelit të varfërisë që nga viti 2005. Sidoqoftë, të dhënat tregojnë një ngadalësim të dukshëm të reduktimit të varfërisë në zonat malore, ku varfëria vazhdon të shfaqë nivelin më të lartë, si dhe ulje jo të rëndësishme që nga 2005-a. Një studim i kryer bashkërisht, nga një grup specialistësh të INSTAT-it, PNUD-it dhe Bankës Botërore, nxori si rezultat se Shqipëria vazhdon të provojë ulje të ndjeshme të varfërisë në periudhën 2005-2008. Sipas deklaratës së përbashkët, studimi bazohet në të dhënat e mbledhura nëpërmjet Anketës për Matjen e Nivelit të Jetesës nga një kampion familjesh përfaqësuese për gjithë popullsinë. Në anketat e kryera në periudhat prill-qershor të vitit 2002, maj-qershor të vitit 2005 dhe qershor-gusht 2008, u intervistuan afërsisht 3 600 familje. Gjithashtu, u kryen intervista pranë familjeve bujqësore të përftuara nga të njëjtët kampionë, në tetor 2005 dhe nëntor 2008.
Përfundimet
Rezultatet për 2008-n të këtij studimi të kryer tashmë, tregojnë se 12,4 për qind e popullsisë është e varfër kundrejt 18,5 për qind në 2005-n dhe 25,4 për qind në 2002-shin. Kjo tregon se rreth 200 000 persona, nga rreth 575 000 që ishin të varfër në 2005-n, kanë dalë nga varfëria vetëm gjatë periudhës 2005 deri në vitin 2008. Varfëria është përkufizuar si pamundësia e personave për të shpenzuar, të paktën 5.722 lekë në muaj për frymë në 2008-n (ose 4.891 lekë për frymë në muaj më 2002). Niveli i lartë i rritjes ekonomike që ka përjetuar Shqipëria në 11 vitet e fundit - mesatarisht 7,1 për qind rritje në vit, që nga 1998 - së bashku me një rritje mesatare të pagave (në terma realë) prej 36,5 për qind në vitet 2005-2008 dhe të pensioneve në vitet 2005-2007 me 17,4 për qind, ka kontribuuar në këto rezultate. Si rezultat, konsumi mesatar për frymë në terma reale është rritur me 7,0 për qind që nga 2005-a.

H. Hasani

Shqipëria, Veriu i vendit jeton në skamje

“Ulja e vazhdueshme e varfërisë është shoqëruar me ngushtim edhe përsa i përket varfërisë rajonale. Ndryshimet në normat e varfërisë midis rajoneve të pacaktuar janë ngushtuar në krahasim me vitin 2005, me përjashtim të zonave të rajonit malor. Për shembull, në zonat e rajonit qendror, të cilat shfaqin uljen më të madh të varfërisë, 10,0 për qind e popullsisë është varfër, në krahasim me 21,2 për qind në vitin 2005. Zonat e rajonit bregdetar gjithashtu kanë përjetuar një rënie të konsiderueshme në varfëri. Krahasuar me vitin 2005, përqindja e popullsisë të varfër është ulur nga 16,2 për qind më 2005-n në 13,0 për qind më 2008-n. Ndryshe nga zonat qendrore dhe bregdetare, zonat malore kanë mbetur prapa, duke zgjeruar distancën me zonat e tjera. Tirana, gjithashtu, megjithëse shfaq nivelin më të ulët të varfërisë, nuk ka pasur reduktim të mëtejshëm në krahasim me 2005-n. Përqindja e të varfërve në zonat malore ka një përvojë të papërfillshme, ndryshuar nga 25,6 për qind më 2005-n në 26,6 për qind më 2008-n. Brenda rajonit malor, problemi shfaqet në zonat rurale. Varfëria rurale në të gjitha rajonet e tjera ka përjetuar një rënie të ndjeshme në vitin 2008, megjithatë në rajonin malor varfëria rurale ka qëndruar pothuajse e njëjtë. Më konkretisht, ndërsa në rajonet rurale shkalla e varfërisë ishte 67 për qind më e lartë se niveli kombëtar i zonave rurale në vitin 2002, dhe vetëm 14 për qind më e lartë në vitin 2005, tani është 114,5 për qind më e lartë. Nga ana tjetër, norma e varfërisë rurale për çdo rajon tjetër më 2008-n është nën nivelin e varfërisë kombëtare rurale, që variojnë nga 4,8 për qind më pak në 13,7 për qind më shumë. Kjo tregon një rënie të konsiderueshme në krahasim me 2005-s, sidomos më 2002-shin, kur kishte një shtrirje më të gjerë (p.sh. ato varionin nga 20 pikë përqindje më shumë në pikë përqindje më pak) Ulja e ndjeshme e varfërisë midis rajoneve u shoqërua me një rënie më të shpejtë të shkallës së varfërisë rurale. Ndërsa varfëria rurale ka rënë me rreth 47 për qind, varfëria urbane u ul me 1,2 për qind. Në këtë mënyrë, ndërsa shkalla e varfërisë në zonat rurale pësoi rënie nga 24,2 për qind më 2005-n, në 14,6 për qind më 2008-n, linja e varfërisë në zonat urbane ra nga 11,2 për qind në 10,1 për qind. Për më tepër, edhe brenda zonave rurale, shkalla e reduktimit të varfërisë është dukshëm më e lartë në rajonin qendror, krahasuar me zonat rurale të rajoneve të tjera. Përkundër një reduktimi të ndjeshëm të varfërisë në zonat rurale, në përgjithësi, të varfrit janë ende të përqendruar në zonat rurale të rajonit malor. Treguesit e tjerë të varfërisë në zonat rurale tregojnë gjithashtu një rënie më të madhe. Megjithëse treguesi i hendekut (thellësia) i varfërisë për zonat rurale është 2,6 për qind në vitin 2008, krahasuar me 1,9 për qind në zonat urbane; për zonat rurale kjo është një ulje prej 57 për qind, nga niveli i vitit 2005, ndërkohë që për zonat urbane ka pasur një ulje prej 30 përqindësh”. * Marrë nga studimi i BB-së dhe PNUD-it i vitit 2009

KARITAS: Thellohet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve në vend

Hendeku mes të varfërve dhe të pasurve në vendin tonë është thelluar ndjeshëm. Nëse përpara 19 vitesh popullsia shqiptare vuante nga një varfëri ekstreme, sot situata është krejtësisht ndryshe. Disa njerëz janë pasuruar shumë e disa të tjerë janë thelluar në varfëri. Organizata “KARITAS Albania” ka realizuar një studim këtë vit për varfërinë kryesisht në periferitë e qyteteve të mëdha. Ajo që spikat në të dhënat e studimit është fakti se 33 për qind e shqiptarëve janë në emigracion të brendshëm, çka e bën më të pasigurt integrimin dhe sistemimin e tyre. Një prej studimeve të përfunduara të KARITAS-it shqiptar është ai i përqendruar në periferitë e Tiranës. Sipas drejtorit të KARITAS-it shqiptar, Albert Nikolla, vërehet se varfëria e këtyre zonave është në thellim, kjo edhe për shkak të krizës botërore që ka prekur vendin. Këtë raport, së bashku me tre të tjerë të fokusuar mbi çështjen e varfërisë në Shqipëri, organizata e KARITAS-it shqiptar do t’i përdorë për të ndërtuar strategji për eliminimin e varfërisë dhe përjashtimit.

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›