Ekonomia shqiptare rritet me 5.3 për qind në 2009
Kriza ekonomike duket se nuk ka ndikuar shumë në zhvillimin ekonomik në vendin tonë. Treguesit e matur nga INSTAT flasin për një rritje ekonomike të qëndrueshme për vitin 2009. Sektorët si telekomunikacioni, ndërtimi, bujqësia, kanë ndikuar në treguesit e rritjes ekonomike. INSTAT publikoi dje të dhënat për 3-mujorin e dytë të vitit 2009, të cilat flasin për një rritje ekonomike të qëndrueshme në disa sektorë të ekonomisë shqiptare. Ledion Shahini, përgjegjës i sektorit të PBB-së tremujore në INSTAT, ka bërë dje publike të dhënat mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto të tremujorit të dytë 2009. Rritja ekonomike sipas treguesve është 5.3 për qind. “Ekonomia në tremujorin e dytë të vitit 2009 u rrit me 5.3 për qind kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2008. Në këtë tremujor degët që kanë pasur rritjet më të larta ishin post-telekomunikacioni me 18.1 për qind, shërbimet me 15.9 për qind dhe ndërtimi me 9.8 për qind, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2008”, - ka sqaruar Shahini. Ndërkohë që degët që patën rënie në këtë tremujor ishin industria dhe tregtia me -6.3 dhe -3.2 për qind. Shahini sqaroi se aktiviteti bujqësor në tremujorin e dytë të 2009-s, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, është rritur me 2.7 për qind. Grupi i industrive pësoi një rënie prej 6.3 për qind në tremujorin e dytë të 2009-s, krahasuar kjo me tremujorin e dytë të 2008-s. Ndërkohë që aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2009 u rrit me 9.8 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2008. Grupi “Tregti, Hotele dhe Restorante” pati një rënie prej 3.2 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Aktiviteti i transportit në tremujorin e dytë të vitit 2009 u rrit me 1.7 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Dega e post-telekomunikacionit pati një rritje prej 18.1 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009 përkundrejt tremujorit të dytë të 2008-s dhe dega e shërbimeve në tremujorin e dytë të vitit 2009 pati rritje me 15.9 për qind kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2008.
Shahini ka sqaruar se shifra 5.3% krahasuar me tremujorin e dytë të një viti më parë është e llogaritur pa efektet sezonale. Sipas tij, më konkretisht rritja prej 5.3 për qind e tremujorit të dytë të vitit 2009 krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2008 është bazuar mbi seritë e të dhënave tremujore të pazhveshura nga efektet sezonale, pasi të dy këta tremujorë i përkasin së njëjtës periudhë kohore të vitit dhe kjo e reflekton më mirë tendencën tremujore nga viti në vit. Për shkak të periodicitetit që kanë seritë tremujore, shumë shpesh ato përfshihen nga lëvizje në periudhën afat-shkurtër, të njohura si lëkundje sezonale. Këto lëvizje mund të shkaktohen nga një sërë faktorësh si moti, ndryshimet legjislative, punësimi sezonal (orët e punës), koordinimi i vendimmarrjeve etj. Këto lëvizje tentojnë që të përsëriten në mënyrë të rregullt çdo tremujor të çdo viti.
Prifti: Vëmendje zhvillimit të biznesit
Ministri Prifti zhvilloi dje takime të njëpasnjëshme me drejtoreshën e USAID-it, znj. Roberta Mahoney, ambasadorin e Spanjës, z. Manuel Montobbio, ambasadorin e Italisë, z. Saba D’Elia, duke vazhduar me ambasadoren e Maqedonisë, znj. Blagorodna Mingova Krepieva. Qëllimi i këtyre vizitave ishte jo vetëm prezantues, por edhe një kërkesë për rritjen e mundësive të bashkëpunimit dypalësh. Ministri Prifti shprehu qartë prioritetet e qeverisë, si edhe objektivat e tij, në veçanti për të gjitha pasuritë minerare, energjetike, gjeotermale, si edhe vënien në funksion të bursës së Shqipërisë, duke krijuar një mjedis sa më të përshtatshëm dhe tërheqës për investitorët e huaj. “Çdo marrëveshje dypalëshe e çdo lloji do të ishte jo vetëm një përfitim ekonomik, por edhe një eksperiencë ndërkombëtare “know-how”, në të cilën mbështetet edhe zhvillimi afatgjatë”, - theksoi ai. Biseda me ambasadorin e Italisë, z. D’Elia, do të zgjerohet dhe avancohet më tej së shpejti në një takim me zëvendësministrin për Zhvillimin Ekonomik të Italisë, z. Adolfo Urso. Duke shprehur mirënjohjen dhe respektin për përpjekjet e deritanishme, z. Prifti i falënderoi palët duke i ofruar mbështetjen e tij për çdo mundësi bashkëpunimi në drejtim të zhvillimit të biznesit në Shqipëri dhe duke kërkuar përforcimin dhe mbarëvajtjen e marrëveshjeve ekzistuese.