E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replikat në Asamblenë e PS-së, kundërshtohet bojkoti

Autori i Lajmit: Redaksia

Asambleja e Partisë Socialiste është shoqëruar me replika të ashpra mes deputetëve, që ishin kundër bojkotit dhe kryetarit të opozitës. Servet Pëllumbi, një nga emrat më të njohur të Partisë Socialiste, ka dalë kundër bojkotit, duke pohuar se deputetët e PS-së duhet të bëjnë jetë parlamentare. Gjithashtu, edhe Arben Malaj është shprehur kundër këtij qëndrimi. Ai ka pohuar se kjo nuk është një rrugë e përshtatshme për Partinë Socialiste, pasi dëmton rëndë imazhin e saj. Por edhe pas këtyre replikave, Asambleja e PS-së ka vendosur që më 18 prill të mblidhet Kongresi i Partisë dhe më 30 prill të organizohet një protestë e madhe në sheshin “Skënderbej”. Asambleja e socialistëve ka vendosur që në datën 18 prill të thërrasë kongresin, për të diskutuar për situatën politike, por dhe për të miratuar ndryshimet në statutin e partisë. Kongresi i fundit i socialistëve ishte kongresi i jashtëzakonshëm, i mbajtur në gushtin e shkuar, pas zgjedhjeve të qershorit që i lanë socialistët edhe për 4 vite të tjera në opozitë.
Asambleja
Në përfundim të punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS, kryetari i saj, Gramoz Ruçi, ka bërë të ditur për mediat katër vendimmarrjet e forumit të lartë socialist. Asambleja vendosi që Partia Socialiste të organizojë protesta në të gjithë territorin e vendit, të cilat do të kulmojnë me protestën në shkallë kombëtare të datës 30 prill në kryeqytet, Tiranë. Së dyti, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të jetë pjesëmarrës në Parlamentin shqiptar; Së treti, Asambleja Kombëtare përshëndet gjithë mbështetjen e dhënë nga partnerët tanë ndërkombëtarë për kauzën, jo vetëm të Partisë Socialiste dhe të grupit të saj, por të të gjithë elektoratit shqiptar lidhur me transparencën e zgjedhjeve. Asambleja Kombëtare u bën dhe një herë apel të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë që të vazhdojnë gjithë përpjekjet dhe mbështetjen e tyre për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Së katërti, Asambleja Kombëtare e PS në vazhdim të një vendimi të mëparshëm të saj, vendosi që më 18 prill, në Tiranë, të thërrasë Kongresin e Partisë.
Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaron se beteja e opozitës për hapjen e kutive të 28 Qershorit 2009 do të vazhdojë. Rama zyrtarizoi fillimin e protestave që prej javës së ardhshme. Duke ftuar të gjithë popullin në protesta, Rama tha se në Kuvend do të shkohet vetëm për të kërkuar hapjen e kutive të votimit. Ai shtoi se mazhoranca hodhi poshtë kërkesën e PS për hetim dhe transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare që do të sillte zgjidhjen e krizës. “Çdo hap që do të ndërmarrim qëndron në besimin tonë të palëkundur se vetëm nëpërmjet transparencës kalon jo vetëm kriza parlamentare, por dhe kriza ekonomike dhe demokratike. Për sa kohë që Parlamenti nuk udhëhiqet në veprimet e tij nga Kushtetuta, nga ligji apo rregullorja, PS nuk ka asnjë punë tjetër me këtë Parlament, përveç çështjes së transparencës që vjen vetëm përmes hapjes së kutive. Do të jemi aty për të dëshmuar vullnetin për transparencë. Ne nuk do ta heqim kushtëzimin e pjesëmarrjes sonë me axhendën e punimeve të Kuvendit deri kur pushteti i Ruzhdies, nuk do të mbajë peng kutitë ku fshihet mekanizmi i korrupsionit elektoral”, - deklaroi Rama, gjatë fjalës tij në Asamblenë Kombëtare të PS.

Ky lajm është publikuar: 28/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›