E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali Ndërkombëtar Greqia hesht, falje vetëm ambasadori

Autori i Lajmit: Redaksia
Thirrjet raciste të Forcave Speciale të Marinës, kanë vënë në lëvizje Athinën zyrtare. Por mesa duket kjo jo për ofendimin dhe provokimin që iu bë fqinjëve por më shumë, për prishjen e festës kombëtare të Greqisë. Kjo faktohet edhe nga qëndrimi i Athinës zyrtare, e cila edhe pas 245 orëve nuka ka dalë me një qëndrim të hapur apo tiu kërkoi ndjesë fqinjëve. Një veprim i tillë është bërë nga ambasadori grek në Shqipëri, si dhe nga Sekretari Ekzekutiv i Rojes Bregdetare. Këto deklarata dhe falje publike mbeten sërish në rangun e zyrtarëve dytësor. Qeveria greke, më tepër Ministria e Punëve të Jashtme duhet të dilte me një qëndrim publik apo të komunikonte me homologët e tij dhe të kërkonte falje publike për incidentin e shkaktuar. Vetëm orët e natës ndanë komunikimin e Ilir Metës me homologun grek, pas miratimit të marrëveshjes për varrezat greke, ndërsa për këtë incident të rëndë duket se shefi i diplomacisë shqiptare është mjaftuar me komunikimin me ambasadorin grek në vendin tonë.
Ambasadori
Falja publike e ambasadorit grek duket se i ka larë hesapet e incidentit. Pasi edhe ministri i Jashtëm shqiptar është shprehur me nota tepër pozitive për marrëdhëniet mes dye vendeve. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Jashtme pas reagimit të të Metës në lidhje me incidentin e disa prej anëtarëve të forcave të armatosura greke të cilët kanë hedhur slogane fyese, ekstremiste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë fqinj, Ambasadori i Republikës së Greqisë Nikolaos Pazios, i ka konfirmuar Meta vendosmërinë e qeverisë greke për të dënuar skandalin dhe ndëshkimin e ashpër të autorëve. Ambasadori Pazios i ka shprehur z.Meta ndjesën e qeverisë greke për ç`ka ka ndodhur dhe e ka siguruar se autoritetet kompetente greke do t`i shkojnë hetimit të këtij incidenti deri në fund, duke ndëshkuar edhe autorët e tij. Meta pasi ka vlerësuar reagimin, ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë do të vazhdojnë të përparojnë dhe të forcohen më tej.
Sekretari Ekzekutiv
Një tjetër falje publike ka ardhur edhe nga greqia, por edhe këtë herë ka qenë Sekretari Ekzekutiv i Rojes Bregdetare. “E dënojmë ashpër sjelljen e papranueshme të një grupi të vogël të trupave amfibe të Rojës Bregdetare, të cilët me qëndrimin e tyre gjatë paradës së 25 marsit, ose nga naiviteti për të cilin shpresojmë, ose nga pozicioni i tyre, diçka të cilën as nuk duam ta imagjinojmë, krijuan probleme serioze si për kolegët e tyre në radhët e forcave amfibe, ashtu edhe për Rojën Bregdetare. Por ky incident i vetëm, nuk pasqyron Forcat Komando të Shkatërrimit nënujor në tërësi, të cilët përbëjnë elitën e Rojës Bregdetare. Ata ofrojnë shërbime të nivelit të lartë në situata të tilla si p.sh. lirimin e pengjeve, neutralizimin e pajisjeve shpërthyese etj.
Duke përfunduar përsërisim edhe një herë se roli i Federatës sonë është të mos lejojë fenomene të tilla në radhët e trupave të Rojës Bregdetare, që luftojnë në kushte shumë të vështira për të kryer detyrën” –ka pohuar Sekretari Ekzekutiv i Rojes Bregdetare

Ky lajm është publikuar: 28/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›