Replikat në Kuvend, Babasi: Malaj, arkitekt i piramidave
Ligji i hapjes së dosjeve ka shkaktuar debate e batuta mes deputetëve të PD-së e PS-së gjatë diskutimit të tij. Deputeti demokrat Ndriçim Babasi është përplasur dje me dy përfaqësuesit e PS-së, Arben Malaj të cilin e quajti arkitekt të piramidave, si dhe me Rajmonda Stefën. Fillimisht gjatë fjalës në pjesën e çështjeve jashtë rendit, deputeti i PD-së i është drejtuar Malajt (pas ndërhyrjeve të tij nga vendi) me fjalët “duro se ka edhe për piramidat këtu”. Më pas gjatë replikës, deputeti Malaj është shprehur se, “ky Parlament me këto lloj diskutimesh që i ngjajnë gëlqeres së pashuar, nuk i shtojnë ndonjë gjë të re ambientit politik shqiptar. Për opinionin është e qartë që nuk ka ndonjë klasifikim që jo komunistët janë në njërin krah dhe ish-komunistët në krahun tjetër. Kot mundoheni të lodheni duke i përgatitur deputetët tuaj me diskutime të shkurtuara. Ky proces do një diskutim shumë serioz. Faleminderit për gëlqeren e pashuar”. Ndërkohë që nuk ka munguar as reagimi i deputetit Babasi, i cili e ka quajtur Malajn arkitekt të piramidave në Shqipëri. “Unë nuk merrem me gëlqeren dhe po të merresha do ishte krenari për mua, se punë e pandershme është. Jo punë e pandershme si ajo e atij zotnisë atje, që privatizoi duhanin sipas dëshirës kur ishte ministër, ndërsa tani vjen dhe flet e bilbiloz. Ai ka qenë arkitekt i piramidave dhe ka bërë gjënë më të bukur për Shqipërinë”. Në fjalën e tij për ligjin e dosjeve, deputeti demokrat tha se, “ka pasur riciklime të figurave kriminale të regjimit komunist dhe këtu në parlamentin tonë ish-funksionarë lartë të partisë dhe pushtetit diktatorial, ministra të Brendshëm, ministra të Arsimit që vijnë këtu e flasin si atëherë, kur bota ishte e gjitha e tyrja. Krenohen me gradat e marra se kështu ishte atëherë, sa më shumë të spiunoje, të internoje, të vrisje, aq më shumë të shtoheshin gradat”.