Gjykata: Akuza për Bashën, e pavlefshme
Armand Bajrami
Gjykata e Tiranës shpalli dje të pavlefshme fletë-thirrjen e Prokurorisë në adresë të Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, si dhe aktin e ngritjes së akuzës ndaj tij. Vendimi u shpall nga gjyqtarja Fatmira Hajdari. Ajo e deklaroi të drejtë pretendimin e ministrit të akuzuar për keqmenaxhim fondesh në ndërtimin e aksit Rrëshen-Kalimash, se aktet proceduriale të Prokurorisë së Përgjithshme për thirrjen e tij në cilësinë e të pandehurit, si dhe njoftimin e akuzës me postë ishin të pavlefshme. Në një kohë kur dosja në ngarkim të ish-Ministrit të Transporteve ndodhet në Gjykatën e Lartë, ditën e djeshme, mes pretendimeve të dy palëve gjykata pranoi kërkesën e ministrit. "Deklaroj të pavlefshëm aktet procedurale gjatë hetimeve paraprake, fletëthirrjen e datës 24.11.2008 të Prokurorisë së Përgjithshme, të akt-njoftimit të akuzës të datës 27.11.2008 të Prokurorisë së Përgjithshme, si edhe pavlefshmërinë e akteve të mëpasshme të ndërmarra nga prokuroria", u shpreh gjyqtarja Hajdari. Në këtë mënyrë, edhe pse dosja ndaj ish-Ministrit të Transporteve Basha dhe ish-Drejtorit Juridik në këtë ministri ndodhet në shkallën më të lartë të gjyqësorit, vendimi i Gjykatës së Tiranës e "zhvesh" ministrin nga akuzat e Prokurorisë për "shpërdorim detyre".
Seanca për Bashën
Avokati Zef Nika, përfaqësues ligjor i shefit të diplomacisë shqiptare, paraqiti provat me të cilat argumentonte pavlefshmërinë e akteve. Ndër-kaq, prokurori Arben Kraja qëndroi në pretendimin se Gjykata e Tiranës nuk është kompetente për të shqyrtuar këtë çështje. "Dosja e kësaj çështjeje prej datës 5 dhjetor është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë dhe pritet të nisë shqyrtimi i saj. Nga mediat jam informuar se edhe gjyqtarët që do ta shqyrtojnë janë caktuar. Kërkesat e bëra nga anëtarët e Këshillit të Ministrave, duhet të shqyrtohen nga Gjykata e Lartë", është shprehur prokurori, duke kërkuar shpalljen e moskompetencës nga ana e gjyqtares Fatmira Hajdari. Konstatimi i gjykatës për pavleshmërinë e dy akteve ndaj ministrit Basha ka ndeshur në të njëjtën kërkesë të prokurorit, i cili tha: Meqenëse jemi në një datë të mëparshme, konform hetimeve paraprake, bazuar në nenin 134 të Kodit të Procedurës Penale, çmuarja e pavlefshmërisë bëhet nga prokurori. Në këto kushte kërkoj përsëri që ju të shpallni moskompetencën", pohoi prokurori Kraja. Ripërtëritja e kërkesës për shpallje moskompetence, shkaktoi reagim nga ana e gjykatës. "Kërkuat përjashtimin tim. Nuk u pranua nga gjykata. Tani përsëri me të njëjtat kërkesa. Edhe kërkesën e mëparshme e kishit për shpalljen e moskompetencës. Gjykata nuk e shpall moskompetencën", ka sqaruar gjyqtarja Fatmira Hajdari e cila më pas vijoi shqyrtimin e çështjes dhe shpalljen e vendimit. Në përfundim të seancës ajo ka vendosur pranimin e kërkesës së paraqitur nga ministri Basha, duke shpallur të pavlefshme aktet e prokurorisë.
Dosja e ministrit
Prej datës 5 dhjetor 2008, dosja në ngarkim të ish-Ministrit të Transporteve Lulzim Basha dhe ish-Drejtorit Juridik Andi Toma është depozituar në Gjykatën e Lartë. Pak ditë më parë shorti me gogla zgjodhi pesëshen gjykuese që do të kryesohet nga gjyqtari Spiro Spiro. Të pandehurit e kësaj dosjeje akuzohen nga Prokuroria e Përgjithshme për "shpërdorim të detyrës" dhe "shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë" gjatë tenderimit për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës.
"Gjykata tejkaloi kërkesat e avokatit të Bashës"
TIRANE - Prokurori i dosjes "Durrës-Kukës" e konsideroi dje vendimin e gjykatës një tejkalim edhe për vetë kërkesat që kishte paraqitur avokati i ministrit Basha. "Pala mbrojtëse kishte kërkuar pavlefshmëri për aktin e formulimit të akuzës dhe thirrjen e ministrit si i pandehur, ndërkohë që gjykata tejkaloi duke dhënë pavlefshmëri jo vetëm për këto dy akte por edhe për aktet e tjera që kanë rrjedhur prej tyre", tha prokurori i dosjes "Durrës-Kukës", Arben Kraja. Sipas tij, me këtë vendim gjykata u shpreh për një çështje që nuk ishte kërkuar as nga vetë avokati mbrojtës i Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha. Megjithatë organi i akuzës tha se vendimi i dhënë dje nga gjyqtarja Fatmira Hajdari nuk ka asnjë efekt mbi statusin e ish-Ministrit të Transporteve. "Ai mbetet i pandehur për këtë çështje për shkak se dosja penale është dorëzuar në Gjykatën e Lartë, e cila sipas ligjit dhe Kushtetutës ka kompetencën e shqyrtimit. Vendimi i Gjykatës së Tiranës nuk është i zbatueshëm, jo vetëm sepse procedimi penal tashmë ndodhet në një gjykatë më të lartë por edhe për shkak se Gjykata e Tiranës nuk është kompetente për këtë çështje", thanë burimet nga prokuroria. Sipas tyre, gjithsesi pala e akuzës do ta ankimojë vendimin e djeshëm të Gjykatës së Tiranës sapo të marrë kopjen e dokumentit të zbardhur me argumentimin ligjor të tij. Procesi gjyqësor ndaj ish-Ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, ka hyrë në një situatë juridike të pa precedentë, për shkak se dosja penale ndodhet në Gjykatën e Lartë, Gjykata e Tiranës shfuqizoi të gjitha veprimet e kryera nga Prokuroria pas datës 6 nëntor 2008 ndërsa Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim për kundërshtimin që Prokuroria i bëri vendimit të gjykatës që caktoi 6 nëntorin 2008, si ditën e fundit të afatit ligjor në dispozicion të hetimeve. Për gjyqtaren që shpalli dje vendimin e shfuqizimit të akuzës dhe thirrjes së Bashës si i pandehur, prokuroria kërkoi pak ditë më parë përjashtimin e saj nga shqyrtimi i çështjes, duke e akuzuar atë për njëanshmëri. Megjithatë një gjyqtar tjetër që shqyrtoi kërkesën, Altin Abdiu, vendosi kundër prokurorisë, duke i lënë dosjen në shqyrtim përsëri gjyqtares Fatmira Hajdari. tr.so
Vendimi që solli sherrin
TIRANE - Çdo provë e administruar pas datës 6 nëntor 2008 në dosjen nr.1 të vitit 2007, të regjistruar pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, është e pavlefshme. Ky është në thelb vendimi i Gjykatës së Tiranës, i shpallur më 18 nëntor 2008, i cili i hapi rrugën konfliktit në të cilin gjykatat dhe Prokuroria kanë hyrë për çështjen "Basha". Vendimi i firmosur nga Sokol Tona, u mor në fakt pas ankimit të bërë nga Armand Teliti dhe Andi Toma, të cilët kundërshtuan vendimin e Prokurorisë për zgjatjen e hetimeve nga 6 nëntor deri më 6 dhjetor. Mirëpo për padinë e bërë nga Teliti dhe Toma, gjykata në vendimin e saj është shprehur për çështjen në tërësi, duke përfshirë në këtë mënyrë indirekt edhe ministrin Basha, që hetohej në këtë dosje e që u mor i pandehur pas vendimit të dhënë prej Gjykatës së Tiranës. Ky vendim është ankimuar në Gjykatën e Apelit por kjo e fundit ende nuk është shprehur për këtë çështje.