E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi rikthen komisionin e Kodit

 

ADI SHKEMBI

Kuvendi ringre komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore. Me 94 vota pro sot në orën 01.30 të mëngjesit deputetët vendosën të formojnë edhe njëherë komisionin, i cili do të marrë në shqyrtim dekretin e Presidentit Topi për përplasjet sipas tij, mes Kodit të miratuar së fundi në Parlament dhe Kushtetutës, përsa i përket datës së dekretimit të zgjedhjeve.
Vendimi
Në projektvendimin e hartuar nga Kuvendi bëhet një ndryshim në vendimin e qershorit 2008, që ka të bëjë pikërisht me ngritjen e komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Qëllimi i shtyrjes së afatit të këtij komisioni ka të bëjë me shqyrtimin e dekretit të kreut të shtetit. “Kuvendi i Shqipërisë vendosi të ringrihet komisioni i posaçëm parlamentar për Kodin Zgjedhor, ngritur me vendimin e Kuvendit nr. 192, datë 30.06.2008, të ndryshuar. Komisioni ka për detyrë shqyrtimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 5960, datë 02.12.2008 “Për kthimin e ligjit nr. 10 019, datë 18.11.2008 ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, thuhet në dy pikat e para të projektvendimit të paraqitur në seancën e djeshme. Ndërkohë, megjithëse është kërkuar ngritja e komisionit në projektvendim nuk është parashikuar afati i zgjatjes së tij, duke e lënë të pakufizuar kohën brenda së cilës duhet që drafti të kalojë sërish në Parlament. “Përbërja e Komisionit, anëtarët, vlefshmëria e mbledhjeve, vendimmarrja dhe grupi i ekspertëve teknikë, mbeten sipas vendimit të Kuvendit nr. 192, datë 30.06.2008, të ndryshuar. Ngarkohet kryetarja e Kuvendit për krijimin e kushteve të punës dhe mbështetjen logjistike të veprimtarisë së komisionit”, thuhet më tej në vendimin e miratuar mbrëmë pas mesnate. Vendimi për ringritjen e komisionit u ndërmor pas ngërçit të krijuar pas kthimit të Kodit Zgjedhor nga ana e kreut të shtetit. Sipas rregullores së Kuvendit, nëse Presidenti kthen për rishqyrtim në Parlament një ligj, ai kalon nga komisioni përgjegjës, i cili e ka hartuar fillimisht. Por në rastin konkret ligji është hartuar nga një komision jo i përhershëm, çka ka detyruar Parlamentin ta ngrejë edhe njëherë komisionin. Me rikthimin e ligjit në Kuvend dhe pas përplasjes së fundit mes PD-së dhe PS-së për qëndrimin ndaj Presidentit, rrisin mundësinë që në Kodin e ri Zgjedhor të mos ketë ndërhyrje vetëm në nenin e kërkuar nga Topi, por edhe më gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›