E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi median tradicionale dhe komunikimin rrjetor

Rexhep Meidani 

Pa dyshim që po, prandaj dhe kërkohen ndryshime serioze mbi modelet e komunikimit, mbi rritjen e pjesëmarrjes në median alternative, pa “dhunuar” aspak median tradicionale. Nga njëra anë, po shtohet vëmendja ndaj “frekuencave” të përditshme, kurse nga ana tjetër vazhdohet të teprohet me rubrikën e zezë, me hapësirën e krimit, aksidenteve e dëmeve, përplasjeve sociale e politike.  Kur një “raport i zi” krijon depresion social e pasiguri njerëzore, frikë jo realiste mbi krimin e vjedhjet, cenon reagimet qytetare apo protestat masive, etj. Ndërkohë, që pak jehonë u bëhet çështjeve të harmonisë brenda grupeve, akteve të njerëzishme e humane, zgjidhjes së konflikteve.   
    Nuk mohohet se një numër i vogël pronarësh e botuesish mund të ushtrojnë një fuqi të madhe ndaj një publiku të gjerë, nëpërmjet mesazheve të zgjedhura, brenda ose jashtë interesave të tyre. Nuk shpëton dhe frekuenca e lajmit, e ushqyer nga pozicionime përkatëse politike-ekonomike, ndërkohë që shumë më pak preken probleme aktuale e perspektive të komunikimit, shoqërizimit, informimit e edukimit. Po ashtu, në mjaft media televizive raportimet, përveç atyre partizane, janë mjaft të vagëta, pa kontekstin e duhur, pa shpjegimin e shkaqeve dhe të rrjedhojave. “Konteksti”, pra, mbetet rezultat i supozimeve, larg fakteve reale; aq më tepër që ai jo vetëm nuk pohohet apo diskutohet, por dhe “ushqehet” nga fakte të gabuara apo pseudo-fakte të montuara.
    Grupe të fuqishme, sidomos ekzekutivi e struktura pranë tij, përfshirë dhe ndonjë media pranë tyre, u japin formë lajmeve dhe informacionit nëpërmjet “propagandimit” të këtij të fundit, ofrimit të një ngjarje apo mbulimit të favorshëm të saj, keq informimit, sulmit politik, abuzimit apo “teknologjisë” së kërcënimit, etj. Në këtë mënyrë tentohet t’u jepet një formë e manipulueshme vetë pikëpamjeve të njerëzve të thjeshtë. Nuk mohohet se një influencë e tillë, nën trysni të ndryshme, shfaqet dhe në median komerciale, me gjithë përballjen ditore me profesionalizmin e etikën, me kriteret e saktësisë, cilësisë e pavarësisë. Mbi këtë ide qëndron dhe besimi i promovimit të një masmedia realisht edukative, përgjegjëse e ndriçuese. Ajo e bën të mundshme çdo përpjekje në fushën e komunikimit, realizimin aty të reformave me përmbajtje progresive e frymë demokratike, qoftë dhe pse brenda disa limiteve të brendshme.
     Një problem në vetvete është ai i mediave, që në krahasim me një numër shumë të vogël “ideatorësh” (pronarësh e editorialistësh), ndiqen nga një numër i madh njerëzish, të cilëve u drejtohen. Të tilla mund të konsiderohen tek ne gazetat me më shumë tirazh, stacionet televizive apo radio më të ndjekura. Kjo masmedia, në një mënyrë apo tjetrën, i jep fuqi një grupi të vogël, nëpërmjet pjesëmarrjes së gjerë së publikut në komunikim e konsum, pse jo dhe kanalizimit apo “indoktrinimit” të tij. Brenda këtij këndvështrimi fuqia e masmedias, në jo pak raste, rezulton “korruptive”: si brenda korruptimit politik të pushtetit, ashtu dhe vetë skemës së saj. Pa lënë mënjanë që krahas ndikimit të qeverisë dhe biznesit mbi masmedian, edhe masmedia, veç ndikimit ekonomik-politik e social-kulturor, është vetë një biznes i rëndësishëm. Ajo komandon burime të konsiderueshme, si simbolike ashtu dhe financiare. Akoma më e hidhur bëhet situata kur për servilizëm, militantizëm politik apo interesa ekonomike, një pjesë e masmedias manifeston deri papërgjegjshmëri qytetare. Prandaj për të minimizuar një deformim të tillë në kontaktin mediatik vlejnë të shfrytëzohen edhe sistemet rrjetore të komunikimit, gjithnjë e më pjesëmarrëse dhe në kushtet shqiptare...
* * *
    Në kushte centralizimi, orientimi e depërtimi mediatik kontrollohet e drejtohet nga pak njerëz, kurse në sistemet e decentralizuara kërkohet një pjesëmarrje shumë më e madhe dhe mbi të gjitha më tepër kooperim e bashkëpunim. Problematike është dhe masmedia që manifeston haptazi pjesën integrale të “imperializmit” kulturor, madje dominimin e politikës dhe një pjese të biznesit në fushën e informacionit dhe të kulturës. Këtë fuqi apo ndikim dominues ajo e realizon nëpërmjet: 1. fokusimit apo “modelit propagandistik” (të mbështetur në “filtra” të lidhur me pronësinë, reklamën, burimin e financimit, kontrollin programatik, pozicionimin politik, etj.), dhe 2. atij organizativ e gazetaresk, që synon balancim, informacion e neutralitet, saktësi e ndershmëri.
    Parë në këtë optikë dyjare, nuk mungojnë kritikat dhe ndaj “liberalizmit të tregut mediatik”. Sepse, në radhë të parë reduktimi pothuajse i plotë i ndërhyrjeve të shtetit në tregjet e komunikimit mund të provokojë deformime të konsiderueshme dhe së dyti, tregjet e parregulluara të komunikimit përgjithësisht e kufizojnë lirinë e tij, ushqejnë monopolet, vendosjen e barrierave, deri kthimin e njohjes në “komoditet”. Po ashtu, në demokracitë liberale, në fushën e komunikimit duhen konsideruar dhe “emergjenca” të tjera negative si: shfrytëzimi i pushtetit ekzekutiv, reklamimi e propaganda qeveritare, operacionet sekrete nga struktura ushtarake apo policore, manipulimi apo spekulimi i mjaft politikanëve, rritja e bashkëpunimit midis elitave në qeveri, biznes apo sindikata, pa lënë mënjanë dhe rritjen e komunikimit në nivel global të korporatave të ngjashme. Dhe kjo duhet parë dhe në lidhje me dy variantet mediatike elektronike. Në Shqipëri, si në mjaft vende të tjera, mund të veçohen dy lloje të saj: media shtetërore (varianti i saj, i konsideruar si publik) dhe ajo private (e organizuar në përputhje me parimet e tregut të lirë). Në variantin e parë, pavarësisht çfarë thuhet e propagandohet, synohet të ruhet kontrolli shtetëror, më saktë ekzekutiv; ai pak a shumë mbetet i centralizuar (Rasti tipik i tij është ai i mediave të censuruara të regjimeve ushtarake apo i shteteve burokratike socialiste). Megjithatë, vlen të theksohet se jo vetëm media në duart e shtetit, por dhe në skemën e “tregut të lirë”, rregullimet e ndryshme ndaj medias, në demokracitë liberale, janë deri diku të “noterizuara”. Shkurt, në kuadër të një “tregu të lirë”, me përjashtim të lirisë së pronësisë së kompanive audio-televizive e atyre botuese, liria mbetet pjesërisht e kufizuar, përfshirë dhe lirinë e vetë gazetarëve, sidomos përkundrejt trysnive të bizneseve mbështetëse, interesave të politikës dhe vetë kompanive mediatike me “interesa ekzekutive”. Pavarësisht që këto kufizime shfaqen si më të sofistikuara, ato bëhen më të qarta e konkrete sidomos kur rriten mundësitë për marrje informacioni, në sajë të ekspozimit të trajtimeve të kundërta, nga burime alternative apo komunikimi rrjetor...
***
       Ndryshe nga mjaft shembuj globalë të një ndërthurje profesionale e pozitive të medias publike e komerciale, tek ne jo vetëm nuk është arritur “divorci” i vërtetë midis ndikimit të përditshëm të pushtetit aktual me objektivat bazë të medias publike, por ushtrohet një trysni e llojllojshme mbi median komerciale. Prandaj, nisur dhe nga mjaft rregullime në kuadër të krizës aktuale, vlen të shqyrtohet dhe funksionimi i medias në tërësi. Në këtë kuptim, vlen të gjallërohet media publike (nëpërmjet rritjes së autonomisë së saj) apo kërkohet rregullim, mbështetje e kontroll dhe për median jo shtetërore e jo tregtare (përshirë “mikro-shtypin”), për stacionet lokale radio-televizive më të “hapura” ndaj komunitetit vendor, etj. Nga ana tjetër, kuptohet se paralelisht me rregullimet ligjore-strukturore, mbështetjet e kontrollet financiare ndaj medias, edhe vetë shteti, në radhë të parë ekzekutivi, duhet të kontrollet në këtë proces!..
     Në parim, masmedia shpreh përmbajtjen demokratike si një mishërim alternativash, deri paraqitje pikëpamjesh të kundërta. Në mënyrë të veçantë, pavarësia editoriale mund të garantohet nëpërmjet minimizimit të ndërhyrjeve apo ndikimit të pushtetit ekzekutiv, pronarëve e grupeve të tjera të interesit, rritjes së kufijve apo frymëmarrjes ligjore në funksion të një masmedia sa më demokratike. Po ashtu, vlen të reduktohet fuqia e “agjentëve” të reklamave, ndërkohë që paraqet interes hapja e medias ndaj pjesëmarrjes dhe oportuniteteve të qytetarëve. Po ashtu, p.sh., me rritjen e kontributit aktiv të një medie të shkruar ndaj një publiku të gjerë, rritet dhe tirazhi i saj, d.m.th., dhe ndikimi i botimit bëhet gjithnjë më i rëndësishëm. Nga ana tjetër, krahas rritjes së mundësisë e kapacitetit për botime më të mira, shtohet mundësia për një vendimmarrje të duhur mbi përmbajtjen. Në të kundërt, çdo vendim i gabuar largon lexuesin, dëmton tirazhin, pra dhe reklamën apo mbështetjen financiare. Pa harruar që një pjesë e madhe lexuesish dëshirojnë të bëhen pjesëmarrës, nëpërmjet kontributit të tyre në çështje që u interesojnë atyre. Në funksion të pjesëmarrjes, apo më gjerë të demokracisë pjesëmarrëse, është dhe media alternative, pa “lidhje pushteti”. Por, ama, kjo lloj demokracie, me gjithë mundësinë në rritje të komunikimit virtual, rezulton pothuajse e pamundur në një mjedis, ku produktet “gjenerohen” për një audiencë të gjerë vetëm nga një numër i vogël pronarësh e botuesish. Shpesh, kjo është dhe një kundërshti reale. Bile, demokracia e medias “skanon” një shqetësim jo të vogël kur shkalla e audiencës kap një numër lexuesish në rritje, siç është rasti i gazetave më të mëdha, i stacioneve televizive apo shërbimeve kabllore. Pra, sa më e gjerë audienca, aq më të fuqishëm bëhen vendim-bërësit çelës në media, më pak efektivë shfaqen mekanizmat ekuilibrues apo më të kufizuara janë oportunitetet për pjesëmarrje, krahasuar me rritjen e ndikimit të fuqisë së disa figurave kyçe. Mënyra se si shfrytëzohet kjo fuqi varet dhe nga lidhja e medias me grupe të tjera në shoqëri, veçanërisht me politikën. Kurse, rritja e komunikimit rrjetor krijon shanset normale për ekuilibrimin apo ushtrimin e kësaj fuqie në mënyrë efektive.
    Pra, masmedia është padyshim e fuqishme. Në duar të sakta ajo kthehet në një forcë të fuqishme për qëllime të drejta. Anasjelltas, në një fuqi korruptive. Në rastin e parë, forca e saj mishëron një ndjeshmëri reaktive ndaj korrupsionit të fuqisë. Ndërsa në rastin e dytë, ajo i shërben fuqisë, e mbron atë, pasurimin e saj, pra dhe vetveten, jashtë misionit qytetar të saj! Prandaj, fuqia e ushtruar nëpërmjet medias jo gjithmonë vjen për të mirë, përderisa ajo tenton të korruptojë apo të korruptohet. Së fundi, duhet theksuar se, në një sistem rregullator relativisht të mirë, masmedia luan një rol parësor në një shoqëri pjesëmarrëse, bile dhe në raste emergjencash. Megjithatë, p.sh., jo patjetër media elektronike është e domosdoshme në raste emergjencash, ta zëmë në raste zjarri, vendin e saj, në shumicën e rasteve, e luan shumë më shpejt e mirë komunikimi telefonik, interneti, etj. Në raste të tjera, rëndësia e medias elektronike del e domosdoshme. P.sh., në një puç ushtarak, shënjestra kryesore e planeve ushtarake është dhe media elektronike. Një hap tjetër represiv, në raste të tilla apo në prani të një regjimi diktatorial, është dhe ai i censurimit të plotë të shtypit të shkruar apo elektronik, duke e bërë shfrytëzimin e masmedias gjatë “emergjencave” si pjesë të investimeve të këqija, tepër të turpshme. E tillë ka qenë dhe “emergjenca” e piramidave në rastin shqiptar. Sidoqoftë, në kushtet e sotme, edhe në këto lloj rastesh komunikimet rrjetore rezultojnë tepër superiore ndaj masmedias tradicionale...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›