E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë në Greqi me telefon, nga paraburgimi i Durrësit

 

Trazhgim Sokolaj

Pesë persona të akuzuar se kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dërgohen në gjykatë me akuzën e trafikut të narkotikëve, ndërsa dy prej tyre e kanë kryer këtë aktivitet nga qelitë e para-burgimit përmes telefonave celularë. Sipas hetimeve të Prokurorisë, dy nga të pandehurit e dosjes, Aleksandër Asllani dhe Eduard Belulaj, kanë organizuar trafikimin e një ngarkese me drogë në drejtim të Greqisë, e cila u kap gjatë kontrollit të zhvilluar në kufi. Hetimi ka nisur në Prokurorinë e Fierit për një akuzë tjetër, vjedhje pasurie, por pas konstatimit se të dyshuarit kryenin trafik droge në formën e grupit kriminal, dosja penale i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo e fundit ka filluar hetimet ndaj të dyshuarve Eduart Belulaj, i thirrur "Arti", Ardian Gerbi i thirrur "Jani" dhe Aleksandër Asllani i thirrur "Miri". Në 9 maj 2008 në Durrës, Aleksandër Asllani ka blerë një sasi prej 501 gramë heroinë. Ai dy ditë më vonë ka biseduar me "baxhanakun e tij" të quajtur Andi Cerepi, të cilit i ka kërkuar të ndërhynte tek Vladimir Pasha që t'i siguronte një sasi droge për trafikim në Greqi. Sapo ka blerë drogën nga Vladimir Pasha, i dyshuari Aleksandër Asllani është arrestuar në flagrancë në plazhin e Durrësit. Ai kishte biseduar me Ardian Gërbin për ta trafikuar në Greqi sasinë e drogës. "Hetimi ka provuar se gjatë kohës që është arrestuar, Aleksandër Asllani nëpërmjet mikut të tij Eduart Belulaj ka siguruar një numër telefoni dhe me anë të përdorimit të tij nga ambientet e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë Durrës, ka organizuar së bashku me mikun e tij Eduart Belulaj 'trafikun e lëndës narkotike' të kryer më 26 qershor 2008 nga Fieri në Tepelenë, e më pas në drejtim të Greqisë". Sipas hetimit, më 24 qershor 2008, Aleksandër Asllani bashkë me Eduart Belulajn i kanë dhënë Ardian Gërbit nga Tepelena sasinë prej rreth 4 kile kanabis sativa dhe 290 gramë kokainë për ta trafikuar në Greqi. Ardian Gërbi e ka fshehur drogën në një kovë me bulmet dhe ia ka dhënë një personi të njohur në zonë si "taksist" për ta dërguar si produkt ushqimor në Greqi, tek vëllai i Ardianit. Po atë ditë droga është kapur në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, fshehur në një kovë me bulmet në bagazhin e automjetit që drejtohej nga "taksisti", i cili sipas Prokurorisë rezulton se nuk ka patur dijeni për drogën. Një ditë më vonë Ardian Gërbi ka komunikuar me Eduart Belulajn duke i thënë se, "taksisti nuk kishte dijeni për çfarë kishte organizuar Ardiani". Prokuroria thotë se më pas, Aleksandër Asllani dhe Eduart Belulaj në bisedë të zhvilluar me njëri-tjetrin, kanë pranuar faktin se nga kapja e drogës kanë humbur 18.000 euro. Për këtë shkak Prokuroria ka pushuar akuzën për personin që drejtonte makinën ku u gjet droga, pasi ai nuk kishte dijeni. Nga hetimet e mëtejshme është mësuar se drogën Ardian Gërbi e ka fshehur në makinë pa dijeninë e drejtuesit të saj nga Tepelena. "Droga i është dhënë Ardian Gërbit nga Eduart Belulaj, kjo sasi narkotikësh i përkiste Eduart Belulajt dhe Aleksandër Asllanit, ky i fundit i arrestuar në paraburgimin e Durrësit, por që përmes telefonit organizonte trafikun e drogës drejt Greqisë. Gjykata me kërkesë të Prokurorisë ka vendosur masat e sigurisë në mungesë për të impklikuarit, të cilët nuk është bërë e mundur të kapen nga policia. Pas përfundimit të hetimeve dosja penale është dërguar në gjykatën e Krimeve të Rënda për shqyrtim gjyqësor.

Të akuzuarit

1. Aleksandër ASLLANI (Miri)
2. Ardian GËRBI (Jani)
3. Eduart BELULAJ (Arti)
4. Vladimir PASHA (Ladi)
5. Andi ÇEREPI (Adi)

Të akuzuar për:
Trafikim narkotikësh
Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›