E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replikat në Kuvend

Sali Berisha:

Bëni politikë dhe bëjini oponencë qeverisë, mbroni programin tuaj, hiqini ata dordolecë që mbledh kryetari juaj përreth për t’ua mbushur mendjen shqiptarëve se janë mendje të ndritura ekonomiste. Ju keni njerëz këtu që dhe kryetarit mund t’i japin ide e mendime dhe grupit mund t’i japin ide e më pas të bëni oponencë.

Gramoz Ruçi:

Ne e kemi për nder që kemi në gjirin tonë ish-guvernatorin e Shqipërisë shumë të suksesshëm. Por është e pafalshme për ju përdorimi i epiteteve ndaj tij. Jemi po kaq të nderuar dhe të respektuar që kemi një zonjë të nderuar siç është zonja Berberi, me plot tituj e grada shkencore, me diploma jo me 5 dhe me 6 siç thoni ju. Jemi po kaq të nderuar me zonjën Seseri dhe po kaq të nderuar që ju shpeshherë zini në gojë disa deputetë tanë që qenkan milionerë. Po, e kemi për nder që i kemi ata. Dhe e kanë vënë pasurinë e tyre në mënyrë të ndershme. Në qoftë se keni qoftë edhe një dyshim tek ata, ja ku i kini ballë për ballë, shtetin e keni, institucionet i keni. Por para se të zini ata në gojë jepuni përgjigje këtu akuzave të opozitës. Jepuni përgjigje akuzave të opozitës për korrupsionin qeveritar.

Sali Berisha:

Di notat në regjistër të deputetëve socialistë. Zoti Ruçi dua të njoftoj se zonja Arta Dade është kualifikuar me notën 6.5, notën më të ulët e ka marrë zoti Arben Malaj, pesë. Shtatë ka marrë zonja Seseri se kaq i vlen, zonja Berberi nuk e lartëson më shumë. Zoti Agim Leka, star i vërtetë, ia ka kaluar dhe Fidelit 9.5, Shega ka marrë 9.8 për meritën e vetme se ka lexuar fjalimin e kryetarit të PS-së këtu, bravo të uroj. Arta, betohu ti se do rrëzosh Sali Berishën, por e vërteta është se do rrëzohesh rrugës 10 herë përpara se ta rrëzosh. Olta Xhaçka 9.3. Kurse ty komandant nuk të vejnë notë se të kanë frikë.

Arta Dade:

Të nderuar deputetë, unë dhe zoti Sali këto javë jemi bërë gjysh jo për herë të parë. çdo fëmijë që vjen në jetë më bën më të dhimbshme për hallet e njerëzve dhe sigurisht më bën të reflektoj çfarë të ardhme kanë ata fëmijë që vijnë në jetë në Shqipëri. Shpreh keqardhjen e thellë që Kryeministri, me sa duket një i ardhur rishtazi në jetë, ka luajtur nga fiqiri. Komplet shpërthimi i tij sot këtu më ka bërë dhe njëherë të ndihem mirë dhe krenare që 20 vitet e mia në politikë nuk do të kishin kuptimin e plotë nëse unë nuk do të kisha qenë kundërshtare parimore dhe e papajtueshme me armikun më të madh të demokracisë, me armikun më të madh të së vërtetës, të kulturës, progresit dhe për rrjedhojë me armikun më të madh të shqiptarëve.

Sali Berisha:

Po ta shihni buxhetin nga kafja e Fidelit, sidomos në ato dy katet përmbi që janë jashtë çdo lloj standardi, e di si ju del Shqipëria, përmbys absolutisht. Unë ju respektoj të sillni çdo shifër, çdo fakt. Keni ndërmarrë një fushatë të habitshme kundër privatizimit. Doni ju të sillni njerëz në ekipet e privatizimit, në ekipet e ankandit, urdhëroni sillini, sepse procesi është transparent. E ritheksoj se midis presidentit të VEFA-s, Vehbi Alimuçës dhe Mark Ridell, presidentit të “North&Rok”, ka shumë dallime, njëri vjen nga shkolla e Zall-Herrit, tjetri nga elita e botës, nga Harvard dhe Kembrixhi; njëri ishte pothuajse analfabet, ndërsa tjetri kishte arsimin më të lartë bankar.

Ermelinda Meksi:

Besoj se Kryeministri e ka aq burrërinë sa të rrijë në debatin për buxhetin, meqenëse mori pjesë menduam se do të fliste si Kryeministër. Mendova personalisht se ndërhyrja e tij i shërbente më shumë korrigjimit të ndërhyrjes fyese të ministrit të financave në adresë të dy zonjave shumë të respektuara deputete të PS-së. Por, për fat të keq, kultura e demonizimit të opozitës vazhdoi edhe sot me gojën e Kryeministrit, i cili në vend që të japë argumente për buxhetin, vazhdoi të fyejë dhe të bëjë diversion me personalitete shumë të nderuara të PS-së.

Fidel Ylli:

Do doja që Kryeministrin e Shqipërisë ta kisha këtu, pasi nuk është e ndershme që këtej të flasësh për biznesin dhe këtej të sulmosh biznesin. Zoti Kryeministër u përpoqe në ’96-n të shkatërroje biznesin tim, ku është një vend që nuk rrinin Socialistët, por rrinin këta ministra që gjetën strehë te Fideli si një mik i tyre, jo thjesht si një opozitar i yti. Dhe dua të them se nëse ke ndonjë gjë personalisht me mua apo politikisht bëje, por biznesin tim lëre rehat se është biznes i ndershëm. Jam sot këtu të përballem personalisht me ty dhe të mos merrem as me nipërit as me mbesat e t’u, nëse ata do i kenë bizneset dhe fitimet siç pretendoj t’i kem dhe unë. Kam qenë ndërtues, por kam 5 vjet që i kam lënë, për të mos u dhënë kosto politike ortakëve të mi. Erdhe më shkatërrove lokalin dhe kam fituar gjithë gjyqet, më pas më prishe një pallat 8-katësh. Kafja e Fidelit mbledh intelektualë dhe të djathtë.

Rudina Seseri:

Nuk i di kapacitetet e Kryeministrit Sali Berisha si mjek, por si politikan ai mbetet një amator i dështuar, që po e fut vendin në qorrsokak. Unë ju sugjeroj që përralla për arritjet e lavdishme, ju t’i shkruani në kujtimet tuaja siç bënte Enveri kur shkruante për kapitalizmin dhe Lindjen e Mesme. Mos harroni të flisni edhe për Alimuçajn dhe Riddell, të cilët ngjajnë aq pak sa ngjan Kryeministri me Marily Monroe. E vetmja temë për të cilën Kryeministrin mund ta ndriçojë ministri i Financave.

Shegushe Ligori:

Do doja të kisha Kryeministrin këtu dhe t’i thosha në sy që është burracak. Unë për hir të së vërtetës kam marrë vetëm 10. Mbase mësoja shumë, mbase çështje fati. Besoj se kam qenë avokate e suksesshme, e lashë për të hyrë në politikë. Por një gjë u them shqiptarëve, se rastin e Kryeministrit dhe qeverisë nuk do ta kisha marrë kurrë në mbrojtje, se është i pashpresë, është rast korrupsioni që nuk mbrohet para asnjë trupi gjykues. Kam folur këtu si avokate e njerëzve që më kanë dhënë votën dhe jo si familja kryeministrore që shton apartamentet apo si ministrat që shtojnë pasurinë me 1.8 milionë fitim, për këtë kam folur, jo me fjalën e kryetarit.

Jozefina Topalli:

Kush ka marrë notë të mirë nuk ka nevojë për replikë.

Arben Malaj:

Duket se Kryeministri nuk është shëruar tamam. Unë e kam mundësinë të futem në përmirësim note. Problemi është me Kryeministrin që pasi kërkoi të futet në përmirësim note u kap në 2009-n duke vjedhur.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›