E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ligji i SHISH-it rrëzoi mazhorancën

Situata politike/Kreu i Partisë Socialiste denoncon seancën e fundit të Parlamentit. “Kuvendi, në krizë funksionale”

Manovrat procedurale dhe në fund shtyrja e detyruar e miratimit të projektligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror për sesionin e ardhshëm janë përftuar si avantazh taktik i opozitës socialiste. Në një klimë acarimi të marrëdhënieve ndërpolitike shoqëruar me menaxhimin e paprecedentë të seancave plenare nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka përcjellë dje interpretimin zyrtar të situatës politike, e cila, sipas tij, evidenton një krizë të plotë qeverisjeje. “Në kundërshtim edhe me rezolutën më të fundit të Parlamentit Europian, Parlamenti sot e shfaqi krizën e vet funksionale përmes një fjalimi të përçartur të Kryeministrit, duartrokitjeve groteske të spikeres së Kuvendit dhe, më e keqja fare, dhunimit të rëndë të së drejtës së opozitës për të diskutuar nen për nen. E gjitha kjo shfaqje provinciale e forcës dhunuese të pushtetit në sallën e Kuvendit, nxori edhe më në pah krizën e rëndë të një Kryeministri që nuk i ka numrat për të kaluar ndryshimet e ëndërruara në ligjin e SHISH-it. Sali Berisha nuk di më ç’flet, sepse nuk di më çfarë të bëjë në kushtet kur i mungojnë votat për të marrë nën kontroll Shërbimin Sekret...” - u shpreh dje Edi Rama. Ai ka ofruar një lexim që dëshmon se opozita, por edhe opinioni, duhet të mbajnë shënim për atë se si SHISH-i “pezulloi” koalicionin qeverisës si të tillë, për të diktuar mandej kalimin në procedura parlamentare simptomatike për atë që PS-ja prej kohësh e sheh si krizë të gjithanshme. E reja e këtij qëndrimi të kreut të saj, është jo vetëm vënia e gishtit mbi përgjegjësitë direkte të Kryeministrit Sali Berisha, por dyshimi i hedhur mbi kapacitetin e këtij të fundit për të mbajtur situatën nën kontroll. Rasti i seancës së djeshme është në fakt preambula e asaj që mund të vijë në sesionin e ardhshëm nëse tensioni vijon të mbetet konstant. “Fshehja e kalendarit të punimeve të Kuvendit, fshehja e axhendës së seancës së Kuvendit dhe së fundi fshehja e projektligjit të SHISH-it bashkë me mbylljen anormale të seancës së sotme, flasin për një gjendje të rëndë psikologjike, por edhe për interesa shumë të errëta të një pushteti që po bëhet përditë e më shumë një barrë në qafën e shqiptarëve dhe të një Kryeministri që ka humbur kontrollin jo vetëm mbi qeverinë, po edhe mbi vetveten”, nënvizoi kreu i PS-së. Nëse të gjitha diskutimet parlamentare të fundit janë transformuar në prova force, atëherë mund të thuhet se drafti për SHISH-in ishte një humbje për shumicën e drejtuar nga Sali Berisha, e cila u thye përballë presionit të shumanshëm për këtë çështje. “Fitorja” e tij duket se është arritur me miratimin nen për nen të ndryshimeve në buxhet të kaluara pa dëgjuar vërejtjet e opozitës dhe me një drejtim seance që duket se u referohet rregulloreve të panjohura ligjërisht për Kuvendin e Shqipërisë. Kështu, drejtimi ekonomik i Shqipërisë dhe masat që duhen marrë për përballimin e situatës ekonomike është tashmë pjesë e vendimmarrjes së njëanshme dhe jashtë oponencës së nevojshme nga ana e opozitës. “Në kundërshtim me çdo ligj, rregullore e normë elementare demokratike sot nuk na u lejua të flasim për çdo nen të buxhetit, por na u ofrua shfaqja vulgare e monologut të një Kryeministri të dalë nga binarët e logjikës e të etikës. Në kundërshtim me çdo parim të bashkëjetesës demokratike në sallën e Parlamentit të të gjithë qytetarëve, sot u inskenua nga Sali Berisha e Jozefina Topalli një seancë e turpshme që, në fakt, është pasqyra e krizës së gjithanshme të qeverisjes”, tha Edi Rama. Nga pikëpamja statistikore, ky draft-buxhet mund të jetë i dyti që pas vitit 2005, i cili do të regjistrohet pa pjesën e kundërshtimit dhe kritikës së opozitës. Nëse në 2005-n ishte PS-ja që refuzoi të bëhej pjesë e debatit, dje ka qenë Sali Berisha që e ka lënë atë jashtë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›