Replikë për një shkrim në gazetën e partisë
Një telefon nga Tirana më bëri të lexoj shkrimin tënd, o ish-i njohuri im. Jo pak, por në katër kolona shkruaje në gazetën e partisë për familjen time. Nuk prisja ndonjë gjë të madhe nga ti. Asnjëherë nuk je çmuar për thellësi. Por, shkrimi ishte shumë fyes për familjen time. E kuptoj që ke marrë urdhër të shkruash, e kuptoj që je bërë urë me shpresën që të të japin diçka, ato që shpresojnë të marrin pushtetin me 5 për qind të elektoratit.
Por, Gëzim! Nuk duhej në asnjë mënyrë të merrje kalemin e të shkruaje ti, kundër Esmeralda Uruçit. Sa herë që ti shkruan, aq herë u kujton shkodranëve të zgjuar, ngjarje dhe data nga jeta jote e trazuar. Jemi shumë të vjetër në këtë qytet, e njerëzit kanë patur kohë të na njohin ne, dhe veçanërisht ty.
Në shkrimin tënd, ti flet për "përfitime maksimale me investime minimale". Megjithëse, e di mirë, po të kujtoj se ajo dhe krejt familja Uruçi, është pjesë e së majtës shqiptare që në vitin 1992. Esmeralda Uruçi ka punuar dhe ka dhënë kontribute të vyera për të majtën në Shkodër, në një qytet ku njerëz si puna jote dhe jo "si puna e Uruçes", fshiheshin skutave.
E ke vendosur Esmeralda Uruçin në radhën e "politikanëve mashtrues e demagogë", duke u shfaqur i neveritshëm përballë opinionit publik, veçanërisht qytetarëve të Shkodrës. Ajo mbetet ende sot, politikanja më e votuar e së majtës në Shkodër dhe në krejt veriun e Shqipërisë, një nga më të votuarat në shkallë kombëtare. Hajde kandido ti dhe do ta shohësh se sa vota do të marrësh. Dhe vetëm pas rezultateve mund të bësh "analistin".
Sidoqoftë, e more mundimin dhe shkrove e shpife aq sa ke mundur. Për fatin e keq, nuk ishe vetëm ti. Partia ngarkoi edhe të tjerë, e mundësisht të gjithë të godisnin atë që ngriti kokën kundër Zeusit, tamam si dikur në kohën e Rahmetliut. I pari foli zëdhënësi i shtypit. Krejt si zëdhënësi i Pallatit të Ëndrrave ç'nuk shkroi e ç'nuk përrallisi për interesa të dyshimta, pazare dhe para të pista. Veç për drogë nuk foli. Harroi i gjori se njerëzit e dinë më mirë se ai, ku duhet t'i kërkojnë ato. Pas tij, e futi pak lugën në çorbë edhe Petrit Shakaxhiu.
Ai i krahasoi të ikurit me kruaset e dhëmbëve, duke harruar që të gjithë ishin funksionarë të lartë të LSI-së, ndërsa dy prej tyre ishin zëvendësit e tij. Mendoni një sekretar të përgjithshëm partie me dy zëvendës të nivelit kruase dhëmbësh. Foli, sepse duhej të thoshte diçka, megjithëse është pjesë e taborit të gjatë të të pakënaqurve. Më pas dole ti, të kryeje shërbimin e radhës. U përdore si shumë herë të tjera, Gëzim. Shpife publikisht për një bashkëqytetare.
Dua të të kujtoj se akti i dorëheqjes së Esmeralda Uruçit, nga të gjitha funksionet, në LSI, është një akt moral. Krahasuar me shumë të tjerë, që hyjnë e dalin në politikë si miu, ajo doli hapur dhe me dinjitet përballë së keqes. Në themel të tij, ky akt paraqet probleme jetike për partitë e majta në Shqipëri.
Esmeralda Uruçi, si shumë socialistë të tjerë, të shqetësuar, ka ngritur problemet e bashkëpunimit të së majtës shqiptare, problemin e demokracisë në parti, si dhe probleme konkrete që lidhen me situatën zgjedhore në LSI. Përpjekjet tuaja për t'i zbehur të gjitha ato çfarë ajo ka thënë, të kanë detyruar të deformosh çdo gjë. Që nga mendimet e deri tek deformimi i mbiemrit të saj të nderuar, të cilin ti ke guxuar ta përçudnosh.
Për të gjitha këto, unë po të kthej në këtë shkrim një pjesë të restos. Mendohu para se të shkruash, mendohu mirë, sepse unë kam shumë të pathëna për ty. Por këtu nuk do të zgjatem më. Për ta përfunduar, dua të të them se qindra mesazhe na kanë ardhur, mesazhe solidariteti e vlerësimi.
Pa u mbushur ende një orë nga akti i dorëheqjes së Esmeralda Uruçit, një personalitet i letrave shqipe, do t'i shkruante:
Shumë e dashur Esmeralda, "U preka shumë kur dëgjova deklaratën tënde. Na përfaqësove të gjithëve ne idealistëve me dinjitet, na dhe një mësim të madh. Je trimëreshë dhe për të gjitha këto të falënderojmë".
*SHËNIM I REDAKTORIT:
Shkrimi është një replikë me z. Gëzim Podgorica për shkrimin "Si Puna e Uruçes", botuar në gazetën "Panorama" të datës 24 shkurt 2009. Shkrimi është sjellë në "Shekulli", pasi gazeta "Panorama" ka refuzuar të botojë tekstin, sipas rregullave të replikës në shtyp. Esmeralda Uruçi dha disa ditë më parë dorëheqjen nga posti i kreut të LSI-së në qytetin e Shkodrës.